zoom

Politikë

Gazment Bardhi, prova të tjera për Olsi Ramën? Çfarë pritet të denoncojë sonte në Opinion

Gazmend Bardhi duket se nuk do të mjaftohet vetëm me publikimin e të dhënave të sistemit TIMS për të provuar lidhjet e Olsi Ramës – vëllait të kryeministrit Edi Rama – me krerët e organizatës shqiptaro – kolumbiane të narkotrafikut që kishte ngritur një laborator kokaine në Xibrakë të Elbasanit.

Ditën e sotme ai tregoi se si Olsi Rama kishte lëvizur me të njëjtën makinë që lëvizte kreu i grupit, Genci Xhixha.

Dha data, orare të sakta të hyrje –  daljeve jashtë Shqipërisë dhe targat e makinave që kishte përdorur ai dhe Xhixha apo anëtarët e tjerë të organizatës.

Kur u pyet nëse kishte edhe pamje filmike të Olsi Ramës me Genci Xhixhën, ai tha se zotëron fakte të shumta, zbardhja e të cilave sapo ka nisur.

Mbrëmjen e sotme kreu i grupit parlamentar të PD do të jetë në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, ku pritet të vijojë denoncimin për këtë dosje.

Ai e kishte sfiduar drejtuesin e emisionit prej disa kohësh që ta lejonte ta bënte aty denoncimin me prova. Për këtë arsye ai pritet të japë të dhëna të tjera, të papublikuara, për të provuar lidhjet e vëllait të kryeministrit me trafikantët e kokainës.

Gazmend Bardhi tha se policia kishte pasur mundësi ta identifikonte Olsi Ramën dhe prokuroria po ashtu ta hetonte, por e kishin fshirë emrin e tij nga dosja, duke e shënuar si “person i paidentifikuar”, ndonëse në dosjen hetimore përshkruheshin shumë karakteristika të tij..

Bardhi tha se të paktën 18 herë Osli Rama dhe Genci Xhixha, që i shpetoi arrestimit, përdorën të njëjtën makinë, në periudhën 2014-2015, kur edhe u krye operacioni i bujshëm.

Por mbetet për t’u parë nëse ai ka pamje filmike të takimeve mes tyre dhe nëse do t’i bëjë ato publike në Opinion/ Zoom.al