zoom

Blog

Fuqia e elitave në Shqipëri ka rënë, por shteti ende i kapur prej tyre

Fuqia e bizneseve dhe grupeve elitare r vitin 2022 në Shqipëri ka rënë me 14 pozicione nga një vit më parë, duke u renditur në vendin e 92-të.

Raporti i Indeksit të Cilësisë së Elitave, ndan cilësinë e elitës dhe elitën, ku e para është ndikimi modeleve elitare të biznesit në tregun ekonomik, ndërsa elitat janë grupe të ngushta, të koordinuara me modele biznesi që grumbullojnë me sukses pasurinë.

Pikëzimi i këtyre modeleve elitare në Shqipëri në total është 45.9 pikë. Por sipas ndarjeve të fuqisë dhe vlerës pikëzim është në nivele të ndryshme.

Në ndarjen e parë, “kapja e shtetit”, ku bizneset elitare mund të kenë ndikim në vendimet qeveritare, të korruptojnë politikanë ose të ndikojnë në fjalën e lirë, Shqipëria renditet në vend të 56 mes 151 vendeve (ku sa më afër vendit të parë, aq më e madhe “kapja” e shtetit).

“Kapja e rregullatorëve”, që cilëson ndikimin e bizneseve elitare në rregullatorët e industrive të rëndësishme, sidomos asaj të rëndë, për interesa vetjake, e rendit Shqipërinë në vend të 83-të, ku përsëri sa më afër 1-shit, aq më e madhe “kapja”.

Elitat në Shqipëri, sipas raportit, duket të kenë shumë ndikim edhe në kufizimin e lirive individuale ku përfshihet diskriminimi gjinor, i orientimeve seksuale etj, cilësuar nga Indeksi si “kapja e njerëzve”. Në këtë ndarje, vendi jonë është i 43-ti, pra ndër vendet e para.

“Mbizotërimi i koalicioneve” është hallka tjetër e Indeksit, ku matet krijimi i koalicioneve elitare midis bizneseve dhe politikës duke përfituar privilegje në fusha të ndryshme. Këtu Shqipëria renditet në vendin e 62-të, pra me shumë ndikim.

Në “mbizotërimin e firmave”, ku matet fuqia e përgjithshme e këtyre bizneseve në fusha të ndryshme, Shqipëria është në vendin e 70-të.

“Shkatërrimi kreativ”, vlerëson ndikimin e këtyre elitave në ngritjet apo rëniet ekonomike të vendit, dhe Shqipëria listohet e 100-ta, (sa më i vogël numri, aq më i lartë ndikimi.)

Në tre ndarje të tjera, “të ardhura të dhëna”, “të ardhura të mbledhura”, “të ardhura të parashikuara”, ku vlerësohet menaxhimi i qeverisë me të ardhurat, dhe renditja është, respektivisht, në vendin e 54-të, 35-të dhe 90-të.

Në tre ndarjet e fundit, raporti mat vlerat në tre tregje bazë të ekonomisë “vlerën e prodhuesit”, “vlerën e kapitalit” dhe “vlerën e punës”. Në “vlerën e prodhuesit”, Shqipëria renditet në vendin e 21, ku bëjnë pjesë prodhuesit dhe furnizuesit e të mirave.

Në atë të kapitalit, Shqipëria renditet në vendin e 102-të, ku matet përfitimi jo i drejtpërdrejtë ne tregje. Në “vlerën e punës”, Shqipëria renditet në 20-shen e fundit, në vendin e 134-t.

Nga vendet e rajonit,  Bosnjë Hercegovina, e cila renditet në vend të 131-të me një total prej 41.4 pikësh. Serbia dhe Maqedonia e Veriut qëndrojnë para Shqipërisë, ku Serbia renditet në vendin e 56 dhe Maqedonia e Veriut në vend të 89-të. Theksojmë se në këtë indeks nuk gjejmë të renditur Kosovën dhe Malin e Zi.

Sa i përket elitave të biznesit me cilësi më të lartë, në vend të parë qëndron Singapori me rreth 68.7 pikë, e ndjekur nga Zvicra me 67.4 pikë dhe Australia me 65.2.