zoom

In Zoom

FSHF, pazar me Kombëtaren dhe tifozët. 600€ bileta në tribunën VIP, 80€ karshi për sfidën me Çekinë

Të premtën në mbrëmje FSHF nisi shitjen online të biletave për ndeshjen që kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë kundër Çekisë më 12 tetor, në stadiumin “Air Albania”.

Por ajo që u vu re menjëherë ishte çmimi i biletave. Ndonëse Federata Shqiptare e Futbollit u përpoq ta fshehë, Zoom.al mëson se në tribunën VIP çmimi i një bilete do të nisë nga 600 euro.

Por nëse tribuna VIP mund të konsiderohet një luks që disa individë apo familje mund t’ia lejojnë vetes, i kripur është edhe cmimi në tribunën karshi.

Përballë tribunës VIP, bileta do të kushtojë 8 mijë lekë, ose afro 80 euro. Në këto vende përllogaritet të ulen rreth 14 mijë tifozë. Imagjinoni një familje me 4 anëtarë që do të kërkojë të shohë ndeshjen e kombëtares: do të duhet të paguajë 320 euro për 1 orë e gjysmë aktivitet, aq sa i duhet për të kaluar një fundjavë në plazhet e jugut.

Pas porte, aty ku qëndrojnë tifozët më të zjarrtë, që kanë krijuar edhe shoqatat e tyre, FSHF ka nxjerrë në treg bileta me 3 mijë lekë, për afro 5 mijë tifozë. Në këto zona çmimet kanë qenë gjithnjë më të ulta, si për pozicionin jo të favorshëm, por edhe për faktin se Federata tregohet e kujdesshme me grupet e tifozëve, me qëllim që ato të mos i kundërvihen.

Po për biletat 80 apo 600 euro, kush do t’i kundërvihet FSHF-së, që po e përdor kombëtaren për të fituar sa më shumë nga tifozët që po e mbështesin në çdo ndeshje?

Shqipëria është e para në grup pas barazimit me Çekinë në Pragë dhe fitores me Poloninë në shtëpi. Barazimi me Çekinë i rriti shpresat dhe për këtë arsye interesi i tifozëve qe i madh për t’i parë kuqezinjtë në stadium. Për këtë arsye biletat u shitën me afro 60 euro në tribunën karshi.

Tani që interesi është akoma më i madh dhe pritet që 22 vendet e stadiumit të mbushen plot, Federata Shqiptare e Futbollit po e shfrytëzon suksesin e përfaqësueses për të mbushur xhepat e saj.

Por kjo strategji e FSHF mund të prodhojë edhe efekt të kundërt; që qytetarët ta bojktojnë ndeshjen në stadium e ta shohin atë në ekranin e televizionit. Kjo do të ishte kundërvënia më e mirë për t’i dhënë një leksion FSHF-së, se ajo s’mund të bëjë pazare me as kombëtaren dhe as me tifozët që po e mbështesin atë në ëndrrën për të shkuar sërish në Europian. /Zoom.al