zoom

Lajme

Frikë dhe hakmarrje, Rama bllokon nëpërmjet Vodafone sinjalin televiziv për intervistën e Ahmetajt

Syri Tv ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se urdhëroi ndërprerjen e sinjalit gjatë trasnmetimit të intervistës së ish -kryeministrit Arben Ahmetaj, mbushur plot akuza ndaj vetë kreut të qeverisë dhe njerëzve të tij te afërm.

Sipas këtij televizioni, sinjali pësoi  “blackout” në platforma të ndryshme, përfshirë ato që vijnë nga kompanitë celulare, si Vodafone.

Syri.tv njoftoi që mbrëmë, se sinjali i tyre televiziv ishte bllokuar pothuajse në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë vendit.

Në disa shkrime në faqen e internetit, Syri Tv raporton se Rama e urdhëroi mbylljen e transmetimit i trembur nga paralajmërimi promocional se Ahmetaj do publikonte fakte edhe për implikimin e tij dhe familjes së tij në afera korruptive.

“E pikërisht kjo intervistë e papritur e zuri Edi Ramën të papërgatitur, e duke i vënë me zor nën hyqëm mediat që komandon. Për këtë arsye, kur u lajmërua që Arben Ahmetaj do të fliste sërish dhe do të thoshte gjëra edhe më të forta, që do ta akuzonin personalisht Edi Ramën dhe familjen e tij, kryeministri i vendit tashmë i paralajmëruar, ka vendosur që marrë masa drakoniane që asnjë media të mos i japë hapësirë ish-zëvendësit të tij”, shkruan “SYRI”.

Sipas SYRI TV, pasi “Rama e fiku sinjalin në të gjitha platformat e mundshme televizive, vendosi që të t’u ulë automatin edhe medieve të tjera”.

“Diku me urdhër të drejtpërdrejtë e diku edhe me presion, Rama vendosi që asnjë media të mos përçonte deklaratat e Arben Ahmetajt. Asnjë media, as online, as gazetë as televizion mbrëmjen e djeshme deri ditën e sotme deri më tani, nuk kanë dhënë asnjë fjalë të Arben Ahmetajt”, vijohet, duke përfunduar se “tmerri i të vërtetës ka bërë që Rama këtë herë të jetë më i ashpër me ata që ka në dorë, duke ua bllokuar edhe të vetmen gjë që ju ka mbetur, fjalën”.

Intervista e Ahmetajt nuk gjeti hapësirë as mediat e Irfan Hysenbelliut Balkanweb.com apo Panorama.com.al, dy ndër mediat më aktive online në Shqipëri.

Pas këtij sulmi Syri Tv gjeti një zgjidhje ku tentakulat qeveritare nuk hyjnë dot, duke e transmetuar intervistën në platformën mbarëbotërore YouTube, aty ku të gjithë mund ta gjejnë të plotë dhe pa censurë atë edhe pas transmetimit. /Zoom.al