zoom

Aktualitet

“Folie Marine”, aty ku shteti bie. Si po e sfidon Alban Xhillari edhe ministrin e ri të Brendshëm

Taulant Balla nuk arriti ta detyronte Alban Xhillain që të respektonte ligjin ashtu si çdo bisnes tjetër që operon në vijën bregdetare shqiptare prej 316kilometrash nga Velipoja në ishullin Tongo.

“Folie Marine”, pronë e Xhillarit, mbetet një prej lokaleve më të zhurmshëm të bregdetit të jugut dhe pothuajse i vetmi që injoron ligjin që e kufizon muzikën pas orës 24:00.

Lokali ndodhet, në plazhin e Jalit,  në një zonë të banuar. Në Jal, përveç malit me beton të Folie, gjenden edhe hotele të tjerë e shtëpi, të cilat në tre muajt e verës janë thuajse plot me pushue, shqiptarë e të huaj.

 

Por të gjithë këta pushues, përfshirë edhe turistët e vetë hotelit të Xhillarit, janë të detyruar të dëgjojnë muzikën me volum të lartë të “Folie Marine” që vazhdon deri në orët e para të mëngjesit, çdo natë, pavarësisht nëse ka apo nuk ka klientë në klubin e natës.

Zoom.al pati publikuar pak javë më parë dëshmitë e disa pushuesve që ankoheshin për “Folie Marine” dhe “Moyo” që gjendet në plazhin e Drimadhes, një tjetër lokal që, pas disa ditësh qetësie nga denoncimet e Zoom.al, ka rinisur zhurmat. (link)

“E kemi marrë policinë papushim në telefon, por nuk ndryshon asgjë” -thanë disa prej tyre. “Policia as nuk guxon të afrohet te lokali”.

Arsyen nuk di ta thotë asnjë, por të gjithë e kanë nga një ide. “Është mik i Edi Ramës pronari Alban Xhillari” -thotë dikush. “Policia merr lekët dhe ikën, me urdhër nga shefat e policisë së Vlorës, që po ashtu marrin zarfat rregullisht. Edi Rama s’di gjë ç’bëhet këtu” – thotë një tjetër.

Në mesin e këtyre hamendësimeve Taulant Balla nuk arriti ta çojë ligjin deri në Jalë. Në këtë plazh mbizotëron ligji i më të fortit, jo ai që vetë ish -ministri kishte votuar në parlament.

Tani, pasardhësi i Ballës, ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ndodhet në të njëjtën situatë të trashëguar.

Ai do të duhet të kuptojë fillimisht se përse policia dhe ligji arrijnë dot deri te “Folie Marine” dhe nuk kanë fuqi përballë një biznesmeni. Dhe këtë duhet të kërkojë t’ia shpjegojnë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtori i Policisë së Vlorës, Ermal Muça, të cilët do të duhet të sqarojnë edhe pozicionin e tyre përballë denoncimeve të pushuesve se policët dhe shefat e tyre në Vlorë e Tianë marrin para që të lejojnë “Folie Marine” të shkelë ligjin, jo vetëm duke shqetësuar pushuesit, por duke u vendosur në pozita të favorshme përballë lokaleve të tjerë në plazhin e Jalit apo plazhe të tjerë ne bregdetin e jugut.

Bizneset në jug thonë se kjo është pandershmëri. (LEXO KËTU)

Ministri i ri i Brendshëm duhet të kuptojë se aty ku ligji sfidohet, shteti ka rënë. E po ashtu, kur bëhet fjalë për favorizim në biznes, asgjë nuk vjen gratis.

Duke e çuar ligjin deri në Jal, Evin Hoxha do të distancohej edhe nga dyshimet se ashtu si drejtuesit e policisë edhe ai mund të jetë kompromentuar.

Dhe nëse nuk arrin ta shtrijë zbatimin e ligjit në çdo centimetër të tërritorit, do të shohë se deshtimi në detyrën më të rëndësishme që ka pasur në karrierën e tij ka nisur ende pa u ulur mirë në karrigen e ministrit. /Zoom.al