zoom

In Zoom

Fitime marramendëse në xhepin e Kastratit, a duhet rinegociuar kontrata për Rinasin?

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” po përjeton fluksin më të lartë të punës të regjistruar ndonjëherë.

Deri në fund të këtij viti, aeroporti i Rinasit pritet të përdoret nga 7-8 milionë pasagjerë.

Kjo do të përkthehet në fitime marramendëse për grupin “Kastrati”, i cili ka marrë me koncesion aeroportin e Tiranës për 20 vjet.

*Paratë që shkojnë në xhepin e Kastratit*

Shefqet Kastrati e mori koncesionin e aeroportit të Rinasit në vitin 2020 nga grupi kinez “Real Fortress Private Limited” për 71 milionë euro.

Kontrata e shtetit shqiptar me grupin kinez mbaronte në vitin 2027 dhe 7 vitet e mbetura të kontratës i kaluan “Kastrati Group”, pas aktit të shit-blerjes.

Por menjëherë pas blerjes qeveria “Rama” propozoi në Kuvendin e Shqipërisë zgjatjen e kontratës së koncesionit në 35 vjet, nga 22 vjet që ishte më herët, duke shtuar edhe 13 vite të tjera marrëdhënie koncesionare për llogari të Kastratit.

Në këmbim, “Kastrati Group” do të bënte investime me vlerë 100 milionë euro.
Sipas qeverisë vitet e koncesionit i duheshin shtuar me qëllim që Kastrati të kishte mundësi ta merrte mbrapsht investimin prej 100 milionë eurosh që parashikonte.

Sipas marrëveshjes së miratuar në parlament nga mazhoranca socialiste në fillim të vitit 2021, koncesionari, pra “Kastrati Group” merr 10 euro taksë aeroportuale për çdo biletë apo pasagjer mbi 12 vjeç që hyn apo del nga ky aeroport.

Një vit më parë kur u shënuan 5.2 milionë udhëtarë, falë kësaj takse dhe të tjerave, Kastrati gjeneroi fitim prej 30 milionë eurosh.

(LEXO KETU DEKLARATEN E KASTRATI GROUP NE QKB)

Këtë vit numri i pasagjerëve të Rinasit pritet të kapë 7 milionë dhe koncesionari pritet të fitojë rreth 50 milionë euro.

“Për ne shifra prej 7 milionë pasagjerë nuk e kishim parashikuar. Këtë shifër mendonin se do e arrinim në 2028. Pra jemi pesë vite në avancë”, do të deklaronte vetëm pak ditë më parë në një intervistë televizive Maksim Ethemaj, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Edhe në vitin 2021 fitimet ishin rreth 30 milionë euro. Nga llogaritjet e vitit 2021 2022 dhe 2023 rezulton se Kastrati do të fitojë 110 milionë euro në 3 vitet e para të shfrytëzimit të aeroportit. Kjo do të thotë se investimi i premtuar në vlerën e 100 milionë euro, jo vetëm është arritur, por edhe është tejkaluar.

Për 17 vjet të tjera, të gjitha taksat që merr nga pasagjerët, duke shtuar këtu edhe tarifat që u merr kompanive të transportit ajror për parkingun e avionëve apo qiratë dhe të ardhurat e tjera nga bizneset që funksionojnë në hapësirën e aeroportit apo edhe nga parking, shkojnë në xhepin e kompanisë.

Nëse lëvizjet e udhëtarëve do të jenë në të njëjtën masë, në 20 vjet kompania koncesionare përllogaritet të fitojë vetëm prej tyre rreth 700 milionë euro.

Në kushte të tilla, kur fitimet tejkalojnë shumën e investuar dhe pritshmëritë, a duhet që Ministria e Infrastrukturës të rinegociojë kontratën koncesionare me “Kastrati Group”?

Në media janë hedhur dyshime për kontratën dhe zgjatjen e saj. Në një kohë kur fitimet marramendëse i shtojnë dyshimet, a duhet hetuar kjo kontratë edhe nga SPAK për të parë nesë janë ruajtur apo dëmtuar interesat e shtetit shqiptar?

Pavarësisht premtimit për investim që kapte shifrën 100 milionë euro, fluksi i këtij viti e gjeti aeroportin të papërgatitur.

Për këtë arsye, ky i fundit njoftoi udhëtarët se duhej të paraqiteshin tre orë para fluturimit, nga dy orë që është standardi normal kudo në botë.

Sipas kontratës, kompania duhe të ndërtonte një terminal të ri, por ajo ka ndarë terminalin e vjetër në dysh, duke bërë investime minimale.

Po ashtu pista nuk është zgjatur ende dhe investimet e premtuara nuk janë realizuar.

Në të tilla kushte, a do t’i kontrollojë dikush investimet e deritanishme, që nga pamja e bilancit duken shumë të fryra dhe një pjesë nuk janë bërë fare? /Zoom.al