zoom

Aktualitet

Filmoi trupin e recepsionistit të vrarë, arrestohet shoferi i ambulancës së spitalit të Vlorës

Teksa Policia dhe Prokuroria po finalizojnë hetimet për vrasjen e bujshme të recepsionistit të “Hotel Greqia” në Dhërmi katër ditë më parë dhe pret ekstradimin e pronarit të subjektit, Gerald Shehu nga Korfuzi i Greqisë, zbulohen detaje të tjera nga rrethanat dhe dinamika.

Një video e trupit të viktimës Eraldo Novruzi për pak sa nuk qarkulloi dhe policia vendore njoftoi se ka ndaluar sot shoferin e ambulancës së Spitalit të Vlorës, i cili transportoi drejt morgut trupin e pajetë të të riut pasi u gjet te “Gjiri i Gjipesë”, ku autori e kishte hedhur pasi e ekzekutoi me 2 plumba pistolete dhe e mbështolli me plastmas nga hoteli.

“Shtetasi me inicialet A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, akuzohet se ka filmuar trupin e pajetë të 31-vjeçarit dhe më pas ia ka burimeve mediatike me qëllim publikimin. Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit E. N., grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit E. N., i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi G. Sh., kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin”, tha policia.

Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit E. N., të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.

“Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut Vlorë, për veprën penale “zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon gazetarët që nuk pranuan të publikonin videon e dërguar nga ky shtetas të trupit të pajetë të shtetasit E. N.”, thuhet në njoftim.

Motivi i krimit mbetet ende mister, teksa në pranga ranë edhe dy punëtorët e hotelit që ndihmuan pronarin. sendet personale, teshat dhe dokumentet u dogjën në furrën e picerisë, por ekspertët gjetën gjurmë gjaku dhe daktiloskopike apo të barutit gjithandej. Dyshimi i parë mbetet vrasja e Nevruzit pas torturës për shkak të motiveve të dobëta. Por besohet edhe prishja e pazareve në Angli, ku jetonin dhe punonin të dy, teksa administronin edhe hotelin.

Besohet se të rinjtë kanë pasur konflikte mes tyre të bartura nga Anglia, ku hetohet nëse kishin edhe aktivitet shtëpitë e barit. Babai i viktimës tha se mendonte që vrasja kishte ndodhur pasi i biri mund t’i kishte kërkuar lekët e punës. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura