zoom

Aktualitet

Fenomeni shqetësues përsëritet/ Gazetarja Glidona Daci sulmohet me gjuhë denigruese online

Një fenomen shqetësues, gjuha denigruese dhe e urrejtes është përsëritur ndaj gazetares, Glidona Daci.

Një profil i rremë në Facebook i krijuar së fundmi dhe që mban emrin e një personazhi anonim ka hedhur aludime dhe ka përdorur epitete fyese për të ulur figurën e Dacit.

Përveç shkrimit denigrues ndaj gazetares Daci, i njëjti profil ka publikuar shkrime të ngjashme edhe ndaj personazheve të tjerë publikë, mes të cilëve gazetare gra.

Në një bisedë me BIRN, gazetarja e Klan News, Glidona Daci tha se sulmi kishte lidhje me punën e saj dhe konkretisht komentet e bëra së fundmi në televizion mbi çështje në hetim nga Prokuroria e Posaçme, sektor të cilin ajo e mbulon. Gazetarja është shprehur se çështjen do ta ndjekë përmes autoriteteve, ndërsa ka shprehur keqardhjen për ndikimin dhe shqetësimin që një sulm i tillë, mund t’u shkaktojë familjarëve të saj.

“Në një klimë të tensionuar politike, vërejmë me alarm rritjen e gjuhës së urrejtjes, intimidimit dhe përpjekjeve për të denigruar gazetarët. Roli i tyre është të raportojnë mbi zhvillimet e përditshme, përfshirë ato të drejtësisë, dhe askush nuk duhet t’i frikësojë apo t’i pengojë në ushtrimin e detyrës së tyre për të sjellë të vërtetën, cilado qoftë ajo,”- tha Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

Sulmet denigruese dhe ngacmimet online ndaj gazetareve gra, bazuar në gjininë e tyre, janë të përsëritura. Përmes një deklarate të shpërndarë të hënën, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shprehu shqetësimin e thellë për shtimin e sulmeve online ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj vajzave dhe grave, gjatë ditëve të fundit./ Zoom.al