Aplikacion
Thirrjeve të prindërve të tyre u janë bashkuar dhe fëmijët që i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama të mos prishen shtëpitë.
“Xhaxhi Edi të lutem mos na i prish shtëpitë, mezi i kemi bërë. Ne nuk kemi më shtëpi të tjera. Gjithçka mund të ndodhë”, tha një fëmijë dhe të tjerë iu bashkuan thirrjes me zë ndaj kryeministrit.
Banorët nuk pranojnë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës, pasi e cilësojnë atë të padrejtë. Ata i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama, që ta lexojë akt-marrëveshjen, pasi kështu, sipas tyre, ai do të kuptojë se nuk do ta firmoste as për shtëpinë e tij në Surrel.
“Një ndër gjërat më të vështira qenka kur mundohesh të krijosh dialog me një mashtrues, siç është kryebashkiaku. I kërkoj që kohën që na e dedikon neve duke na mashtruar, ta dedikojë për zgjidhje. Banorët janë treguar shumë të qytetëruar. Po bëhet një propagandë e hapur. Ai mashtron kokërr për kokërr. Unë shoh për ditë komshinjtë e mi, që u janë shembur shtëpitë dhe flenë nën rrënoja. Akt-marrëveshja fillon me një akt dhurimi. Unë nuk ja dhuroj shtëpinë bashkisë dhe askush që është këtu. Mes një qeverie negative dhe një bashkie shumë më negative, mendoj se kjo bashkia po mashtron dhe kryeministri vetë. I kërkoj Ramës ta marrë vetë atë akt-marrëveshje, ta lexojë për 7 minuta, dhe do të kuptojë se ai vetë për shtëpinë e tij në Surrel nuk do ta firmoste në asnjë mënyrë. Ne po mbrojmë të drejtën. Erion Veliaj nuk është zotëri fare, sepse thotë se po përdorim gra e fëmijë. I them se nuk jemi marrë me mamin tënd, babin tëndapo fëmijën tënd”, tha njëri prej protestuesve.
Protestuesit kanë paralajmëruar dhe grevë urie nëse nuk marrin zgjidhje.
“Po shohim si opsion futjen në grevë urie para kryeministrisë, sepse shumë shpejt do fillojë shembja e banesave. Janë shënuar me kryq. Është e patolerueshme, duam zgjidhje. Atëherë kur të marrim zgjidhje ju mund të vijoni punën. Po shohim si opsion futjen në grevë urie deri në vetëflijim. Në të gjithë Shqipërinë ka projekte, ka çështje prone, ka konflikt për pronën. I ftoj të gjithë të na bashkohen neve. Çdo person që ka konflikt për pronën, të kërkojmë një nismë ligjore që të marrë fund njëherë e mirë çështja e pronës”, deklaruan banorët.