zoom

Aktualitet

Familjarët e çiftit që u shua në aksident në Lezhë: Ky aks po merr jetë njerëzish

Familjarët e 33-vjeçarit Paulin Zefi, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti tragjik bashkë me bashkëshorten, Zhaklina Hysi janë rikthyer sot në vendin e ngjarjes. Ata kanë apeluar ndaj autoriteteve përkatëse marrjen e masave për këtë aks rrugor sepse është bërë shpesh shkak aksidentesh.

Mes dhimbjes së madhe dhe lotëve në sy, ata vendosën lule dhe ndezin qirinj në nderim të viktimave, Paulinit e gruas së tij, Zhaklinës.

Xhaxhai i Paulinit, i tronditur nga humbja e të afërmve, thotë se ky aks duhet të ketë të tjera standarde pasi, përgjatë viteve të fundit janë shënuar një numër i lartë aksidentesh me pasoja fatale.

“Para dy ditësh kemi pësuar një humbje të madhe, kemi humbur nipin tonë Paulinin, bashkë me bashkëshorten. Gjej rastin të përshëndes të gjithë ata që kanë marrë pjesë në hidhërimin tonë, duke na ngushëlluar me mesazhe, duke na qëndruar pranë. Siç e shihni dhe ju, dhe në bazë të pamjeve që kam parë herë të tjera kam vënë re që kjo është një rrugë që i duhet kushtuar e gjithë vëmendja sepse shumicën e aksidenteve që kanë ndodhur në këtë segment rrugor shumica e aksidenteve ka qenë me pasoja të mëdha. Duhet të venë një dorë të paktën sepse po shkojnë edhe drejt fluksit veror, është e pashmangshme që një veprim i gabuar i drejtuesit të mjetit të mos sjellë pasojën e rëndë. Lus Zotin dhe iu kërkoj drejtuesve të mjeteve që të respektojnë normat e Kodit Rrugor se një veprim i gabuar prej tyre do të sjellë një pasojë të pashmangshme për ta, për familjen e tyre, por edhe një dhimbje që kurrë në botë nuk ka për t’u harruar. Ne sot që po flas jemi kthyer nga varrimi i dytë i nuses së Paulinit. Është policia ajo që ndan veprimet”, tha Sokol Zefi.

Banorët e zonës thonë se kjo rrugë nuk i plotëson standardet e duhura, ndërsa shpeshherë janë bërë edhe dëshmitarë të aksidenteve tragjike siç ishte ai që humbën jetën dy të rinj.

“Këtu është rruga shumë e keqe. Ka zënë makina 5 vetë në lagjen tonë. Kemi bërë kërkesa, por nuk i kanë miratuar. Është shumë e rrezikshme edhe për ne. Makinat ecin me 150 edhe 180 në orë. Policë nuk ka këtu. Policët janë te ura, janë nën hije. Nuk dua të gjykoj kërrkënd, këtu nuk ka shtet o bab. Këtu shteti ka qenë i mbaruar, është i mbaruar. Duhet të jetë me standarde të tjera normal. Këtu është rruga drejt ecën me 180 kilometra në orë, shkon në atë kthesën edhe hyn në parcelën e huaj. Merr tjetrin para, prandaj që këtu nuk e di, të verë dorë shteti, ose të mbyllemi brenda mos të dalim hiç fare. Ose edhe kur të dalim jashtë, t’i japim shpisë dorën, që o kthehemi ose nuk kthehemi”, tha banori.

Ngjarja tragjike ndodhi pasditen e 12 Shkurtit, kur dy të rinjtë po udhëtonin me mjetin tip “Audi”. Ata u përplasen me një kamion në aksin Lezhë-Shëngjin. Paulin Zefi, ndërroi jetë menjëherë pas aksidentit, ndërsa pasagjerja, Zhaklina Hysa u transportua në gjendje të rëndë te Spitali i Traumës në Tiranë ku dhe ndërroj jetë disa orë më pas, duke çuar në dy numrin e viktimave./ Zoom.al

Postime të lidhura