zoom

Ide & Blog

Euron po e vret qeveria!

Zhvlerësimi drastik i euros kundrejt lekut përveç shqetësimeve për pasojat e mëdha negative në ekonomi, ka hapur dhe një debat publik mes ekspertëve mbi atë se cilat janë shkaqet e tronditjes në kursin e këmbimit.

Në treg janë hedhur një sërë shkaqesh për të shpjeguar zhvlerësimin anormal të monedhës europiane, që nga flukset e parave me burime të paligjshme deri dhe tek spekullimi nga grupe të caktuara. Por është një faktor tjetër, i cili ndonëse ka marrë më pak vëmendje, po shndërrohet në përcaktues për fundosjen e euros ndaj lekut. Kjo është sjellja e qeverisë.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, buxheti i shtetit u mbyll me një sufiçit prej 46 miliardë lekësh. Pra, në periudhën janar-qershor të këtij viti, qeveria i ka marrë tregut përmes taksave, tatimeve apo burimeve të tjera 46 miliardë lekë më shumë se sa ka kthyer mbrapsht përmes shpenzimeve. Këto para rrinë të fjetura nën dyshekun e qeverisë.

E megjithatë, sufiçiti nuk e tregon të gjithë historinë. Veç kësaj janë dhe paratë e marra përmes huamarrjes së brendshme. Sipas të dhënave zyrtare, për gjysmën e parë të vitit, qeveria ka marrë 33.6 miliardë lekë të tjera përmes huamarrjes në tregun e brendshëm. Kjo është tharje e tregut nga likuiditeti në shkallë të gjerë.

Për ta thënë shkurt, vetëm përmes balancës buxhetore dhe huamarrjes së brendshme, qeveria i ka marrë tregut 80 miliardë lekë duke mos ja kthyer mbrapsht. Pra oferta e monedhës kombëtare ne treg është 80 miliardë lekë më pak nga sa duhet të ishte në kushte normale. Sa më pak lekë të ketë në treg, aq më shumë monedha kombëtare forcohet ndaj të gjitha monedhave të tjera.

Por rrudhja e ofertës së lekut në treg është vetëm njëri mekanizëm përmes të cilit, qeveria po e ndikon masivisht kursin e këmbimit. Mekanizmi tjetër është ai i operacioneve me borxhin.

Muajin e kaluar qeveria shqiptare mori 650 milionë euro borxh në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa vendi po përballej me ofertë të lartë të euros, siç pranohet nga të gjithë, qeveria vendosi që të sjellë edhe më shumë euro në Shqipëri.

Oferta e lartë e euros në tregun vendas, e cila po diktonte zhvlerësimin e shpejtë të monedhës europiane, duhet ta kishte shtyrë qeverinë që një pjesë të borxhit në euro ta merrte në tregun e brendshëm. Përmes emetimit të obligacioneve në valutë, Ministria e Financave mund të kishte ngritur të paktën 200 milionë euro nga tregu i brendshëm, për sa kohë ky i fundit po përballej me një ofertë të madhe të euros.

Përmes këtij operacioni, qeveria do të kishte tërhequr një pjesë të sasisë së euros nga tregu, duke lehtësuar ndjeshëm presionet për mbiçmimin e lekut ndaj saj. Por ajo bëri të kundërtën. Solli edhe më shumë euro nga jashtë, edhe pse tregu po “vuante” nga teprica e euros.

Nëse këtyre zhvillimeve u shton dhe situatën energjetike, ku ndryshe nga një vit më parë ku tërhoqi 503 milionë euro nga tregu për të blerë energji nga jashtë, këtë vit KESH nuk ka importuar thuajse fare, atëherë koktejli është i plotë.

Askush nuk mund të thotë, nëse qeveria, po e “saboton” euron qëllimisht, per arsye qe i di vetem ajo, apo nga paaftësia për të menaxhuar më mirë financat publike. Por një gjë mund të thuhet me siguri maksimale. Euron në tregun e brendshëm po e vret qeveria. Bashkë me të po vret edhe eksportuesit dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.