zoom

Lajme

EURO 2024/ Anglia zbret nga froni i favoriteve për ta fituar trofeun, “Bookmakers”-at shohin nga…

Për herë të parë në këtë Evropian kemi ndryshim të skuadrës favorite për të ngritur lart trofeun, mbrëmjen e 14 Korrikut, në Olympiastadion të Berlinit.

Nëse që në prag të nisjes së këtij kompeticioni, e deri më tani me përfundimin e fazës çerekfinale, “bookmakers-at” kishin kuotuar si skuadrën superfavorite për të fituar evropianin, Anglinë e Gareth Southgate, duket se gjërat tashmë kanë ndryshuar.

Arsyeja? Spanja e Luis de la Fuente, një skuadër që pasi nxorri jashtë të “zotët e shtëpisë” në çerekfinale u konfirmua si skuadra që deri tani ka zhvilluar futbollin më bindës, duke marrë me meritë statusin e skuadrës favorite. Padyshim e ndihmuar edhe nga forma jo e mirë dhe shumë larg pritshmërive e “tre luanëve” anglezë, “furria e kuqe” ka marrë stafetën e pretendentit nga ana e faqeve ndërkombëtare të basteve.

Pas Spanjës, vjen menjëherë Anglia, por diferenca mes tyre dhe Francës së Didier Deschamps është shumë e vogël, gati gati në ekuilibër të plotë. Ndërkohë që Holanda e Koeman është skuadra e 4 favorite, megjithatë “tulipanët” mund ta shfrytëzojnë pozitivisht të qenurit “jo favoritë” në këtë fazë të kompeticionit, duke mos patur trysninë që kanë 3 skuadrat e tjera.

E sigurtë është që të 4 skuadrat gjysmëfinaliste kanë mbërritur me plotë meritë në këtë gjysmëfinale dhe pavarësisht lojës së shifrave, që luajnë “bookmakers-at”, cilado skuadët që do të ngrejë lart trofeun, nuk do të përbënte aspak suprizë.

Presioni duket më i madhe tek Anglia dhe Franca, të cilat nëse nuk do të fitonin evropianin mund të ndryshonin edhe stafin teknik, ndërkohë që te Spanja dhe Holanda, duket se planet janë më afatgjatë, pavarësisht se cili do të jetë verdikti final në këtë evropian. /ZOOM.AL/