zoom

Lajme

Etika anulon votimin pa kuorum të 5 projektligjeve të seancës së 7 Marsit. Korreshi: Fitore, por…

Sekretariati i Etikës ka anuluar votimin e 7 Marsit në Kuvend. Kërkesa ishte bërë nga grupi parlamentar i PD, për të shpallur të pavlefshëm votimet e kryera në atë seancë plenare.

Grupi i PD pretendoi se të gjitha ligjet e votuara në seancën e 7 Marsit duhet të shpalleshin të pavlefshme, për shkak se nuk ishte plotësuar kuorumi i nevojshëm në Kuvend. Mes tyre ishin Investimet Strategjike, Burimet Ujore dhe Zonat e Mbrojtura.

Në këtë mënyrë u pranua kërkesa e Gazment Bardhit, që tha se më 7 Mars ligjet janë kaluar pa pasur korumin e nevojshëm. Në seancë votuan vetëm 68 deputetë, por se duhet të ishin së paku 71.

Pesë projektligjet pritet që të kalojnë për votim në seancën e radhës plenare. Projektligjet do të kalojnë vetëm për votim dhe nuk do të ketë diskutim, sepse konsiderohet se është ezauruar pjesa e diskutimeve për nismat përkatëse.

“Të nderuar anëtare të Sekretariatit për Procedurat, Votimit dhe Etikën, bëj me dije se ditën e premte date, 29.3.2024, ora 11.30 Sekretariati për Procedurat e Votimit zhvillon mbledhje për të diskutuar lidhur me:

1. Shqyrtimin e kërkesës te Grupit Parlamentare te Partise Demokratike per:

“Deklarimin e pavlefshmerise/anullimin e votimeve te kryera ne seancen plenare te dates 7.3.2024”. Nr. 905 prot, date 7.3.2024. Mbledhja do të zhvillohet në sallën e Komisionit të Ligjeve”, thuhej në njoftimin drejtuar anëtarëve të Sekretariatit, teksa më pas erdhi edhe vendimi i anulimit.

Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi ka reaguar pas anulimit të votimin në Sekretariatin e Etikës. Ai e ka quajtur këtë një fitore të vogël ndërsa i bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që të shkojnë në Kuvend dhe të votojnë ligjet.

Sot është një fitore e vogël në dukje, por arroganca si janë bërë këto votime… Ne do tëverifikojmë të gjitha votimet sepse të tilla vendime mund të jenë marrë edhe më parë. Deputetët e mazhorancës të lënë qejfet e të vijnë të votojnë ligjet që kanë propozuar”, tha ai. /ZOOM.AL/