Aplikacion
Punimet për xhaminë kanë përfunduar prej disa muajsh, por presidenti turk Erdogan kishte refuzuar hapjen e saj, me pretendimin se ajo do të drejtohej nga “gylenistët”, që sipas tij janë sot në krye të Komunitetit Mysliman.
Komuniteti Mysliman Shqiptar, me anë të një letre angazhimi publike, ka propozuar që menaxhimi i Xhamisë të bëhet nga shqiptarët dhe turqit. Megjithatë, pronësia do të mbetet e KMSH.
PROPOZIMI I KMSH: XHAMIA TË DREJTOHET NGA MYFTIU I TIRANËS
KMSH ka propozuar krijimin e një fondacioni që do të marrë në dorë menaxhimin, funksionimin dhe drejtimin e xhamisë. Në krye të fondacionit do të jetë myftiu i Tiranës.
“Duke qenë se Xhamia e Namazgjasë do të jetë xhamia më e madhe e vendit, KMSH, jep dakordësinë dhe miraton që ky objekt kulti të administrohet nëpërmjet një fondacioni i cili do të jetë autoriteti i vetëm në këtë aspekt dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë si edhe të kompleksit përreth saj, (i përbërë nga parkingu, dyqanet, restorantet, biblioteka, sallat shumë-funksionale, klasat, shatërvanet, abdesthane, kopshtet dhe oborri i xhamisë).
Fondacioni udhëhiqet nga Kryetari i Fondacionit, i cili është Myftiu i Tiranës. Kryetari i Fondacionit ka të drejtën të përfaqësojë Fondacionin përpara të tretëve si dhe të drejtën për të firmosur çdo akt që ka të bëjë me regjistrimin” – thuhet në letrën e angazhimit të KMSH që Zoom.al do ta sjellë të plotë më poshtë.
MYFTIU I TIRANËS, I PËLQYERI I “ERDOGANISTËVE”
Myftiu i Tiranës është Bilal Teqja. Ai u zgjodh në këtë pozicion në mars të vitit 2024 dhe u prezantua nga kreu i KMSH, Bujar Spahiu.
Zgjedhja e tij u komentua nga disa media si kompromisi mes KMSH dhe Turqisë për të hapur xhaminë e Namazgjasë. Bilal Teqja duket se gëzon mbështetjen e “erdoganistëve” brenda besimtarëve myslimanë. Ai u ftua pak kohë më parë edhe në podcast-in e kryeministrit Edi Rama.
LETRËR ANGAZHIMI
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) është bashkësi fetare, jo politike, i pavarur nga shteti, i cili përbëhet nga të gjithë besimtarët myslimanë me banim në territorin e Republikës së Shqipërisë, që pranojnë parimet themelore të fesë Islame. KMSH vepron si person juridik me anë të organeve të veta të parashikuara në ligj, në aktin e themelimit si edhe në statutin e tij.
Për realizimin e qëllimeve dhe objektivave të tij, KMSH ka të drejtë të ndërtojë xhami, objekte kulti dhe objekte të tjera në funksion të tyre, brenda të cilave kryhen ceremoni e rite fetare. Po ashtu, KMSH ka të drejtën të hapë edhe qendra kulturore për menaxhimin dhe administrimin e duhur të xhamive dhe objekteve të kultit në pronësi të saj.
Me përfundimin e ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë dhe kompleksit të saj përreth, objektiv i cili tashmë është realizuar me sukses, KMSH dëshiron që këtë objekt kulti ta çelë dhe vërë në përdorim për besimtarët myslimanë në afatet më të mira.
Duke qenë se Xhamia e Namazgjasë do të jetë xhamia më e madhe e vendit, KMSH, jep dakordësinë dhe miraton që ky objekt kulti të administrohet nëpërmjet një fondacioni i cili do të jetë autoriteti i vetëm në këtë aspekt dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë si edhe të kompleksit përreth saj, (i përbërë nga parkingu, dyqanet, restorantet, biblioteka, sallat shumë-funksionale, klasat, shatërvanet, abdesthane, kopshtet dhe oborri i xhamisë).
Fondacioni themelohet si një organizatë jofitimprurëse bazuar në ligjin nr. 8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, i ndryshuar, si edhe ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” dhe merr emrin “Fondacioni i Xhamisë së Namazgjasë”, ai organizohet në përputhje me aktin e themelimit dhe statutin.
Fondacioni udhëhiqet nga Kryetari i Fondacionit, i cili është Myftiu i Tiranës. Kryetari i Fondacionit ka të drejtën të përfaqësojë Fondacionin përpara të tretëve si dhe të drejtën për të firmosur çdo akt që ka të bëjë me regjistrimin. Detyrat dhe kompetencat e tjera janë parashikuar në statutin e Fondacionit. /Zoom.al