Aplikacion
Protothema shkruan se në fjalimin e kryeministrit, që zgjati më shumë se 1 orë, Rama “pohoi se nuk ishte aty për të provokuar”.
“Në fjalën e tij, Rama theksoi se pavarësisht tensioneve mes dy vendeve, po diskutohet për marrëveshjet e pesioneve me Greqinë!, shkruan Protothema.
Edhe Cnn.gr e vë theksin tek fjala e Ramës “nuk kam ardhur të provokoj”, duke shkruar se “Kryeministri ka dhënë garancinë se nuk ka ardhur për të provokuar por për të takuar njerëzit e tij”.
Më herët, Fredi Beleri e quajti vizitën e Ramës “një provokim ndaj Greqisë”.
“Zgjedhja e ditës së sotme për vizitën e kryeministrit shqiptar në Athinë nuk është e rastësishme”, tha Fredi Beleri në mesazhin e tij nga burgu i Fierit, duke akuzuar kryeministrin shqiptar se dëshiron të provokojë.
Në mesazhin e tij, Beleri tha se sot bëhet saktësisht një vit nga arrestimi i tij. Sipas tij, Rama zgjodhi këtë ditë pasi e ka shqetësuar nominimi i tij për eurodeputet.
“Ai dëshiron të provokojë Greqinë. Ai nuk do t’ia dalë. Askush nuk mund të luajë me krenarinë dhe dinjitetin e helenizmit”, përfundoi mesazhin e tij Beleri.
Nga ana tjetër, Kathimerini ka shkruar se ky takim ka ndezur tensione të reja në marrëdhëniet greko-shqiptare si dhe është një ngjarje që pason komentet e Ramës të shtunën.
“Greqia është një vend demokratik. Nuk mund të pengonte një lider të bënte një vizitë private dhe të fliste me bashkëfshatarët e tij. Kjo cështje ka marrë më shumë vëmendje sesa duhet por nuk është koha e duhur para zgjedhjeve europiane”, citon Kathimerini fjalën e Ramës.
Qeveria greke ka zgjedhur të qëndrojë në heshtje
Mediat greke shkruajnë se qeveria greke ka zgjedhur të mos reagojë për vizitën e Ramës, duke sqaruar vetëm se nëse do ketë provokime, do të përgjigjet.