Aplikacion
Në rubrikën “Opinion”, në News24, Alibeaj tha se nuk ka një përplasje mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, pasi sipas tij, jo vetëm Basha apo Berisha, por çdo demokrat, nuk do të negocionte asgjë, kur bëhet fjalë për vendime të Shteteve të Bashkuara.
“Ajo që mund të them është fakti, i kuptuar për këdo, se nëse ka një gjë që nuk do të ndodhë, është fakti që të mund të ndodhë në një mbledhje për një kërkesë për një Kuvend të PD, që të marrë në shqyrtim vendimin e SHBA. Kjo është bërë e qartë për këdo. Kjo parti, demokratët, kushdo tjetër, e ka në ADN e vet politike një nga komponentët më të rëndësishëm pikërisht që ekzistencën e vet PD, orientimi i qartë euro-atlantik i kësaj partie. Nuk ka përplasje mes palëve. Debate po. Kjo parti është krijuar që në gjeneze si grupimi i debateve të njerëzve. Pavarësisht se ka sot një lloj ngarkese emocionale për atë që ka ndodhur, por janë fare të qartë për disa gjëra kardinalë. E para, ai që është kundërshtari ynë politik, por edhe i të gjithë shqiptarëve, është regjimi komunist i instaluar sot; së dyti, ajo që është situata që po e vuajnë sot gjithë shqiptarët. Kjo është një kauzë aq e madhe, që i bën bashkë të gjithë shqiptarët. Së treti, fakti që më 25 prill ky regjim ka vjedhur pushtetin.
Rama ka vjedhur zgjedhjet me krim, me paratë e korrupsionit, duke përdorur administratën, patronazhistët. Ky është fakt, e thënë edhe nga z. Berisha. Kjo nuk ka si të vendoset në diskutim. Është ndjesi dhe bindje e të gjithë demokratëve. Ajo që ka ndodhur më 25 prill, ka qenë grabitje e vullnetit të lirë të shqiptarëve për të rrëzuar këtë lloj regjimi. Edhe ata që mbështesin Berishën janë absolutisht demokratë. Edhe ne demokratët kemi sentimentin tonë njerëzor, absolutisht që këtë s’e mohon njeri. Berisha edhe te kundërshtarët ka influencën dhe sentimentin e vet, dhe kjo dihet. Por, ne ndodhemi para një vendimi të SHBA dhe një kërkese nga Sekretari i Shtetit.
Z. Berisha është pjesë e parlamentit. Ishte kërkesa nga SHBA, që bëri që kryetari të arrinte në këtë vendim për largimin e tij, dhe jemi në këtë lloj situate, ku Berisha është pjesë e parlamentit. Kishim situata deri rraskapitëse dhe tani jemi në këtë situatë. Nuk ka ndodhur kurrsesi asnjë lloj përjashtimi i Berishës. Është marrë një vendim nga kryetari i partisë, për një kohë të përkohshme. Ajo që ka ndodhur është se nuk do të jetë pjesë e grupit, derisa Berisha të sqarojë betejën e tij ligjore, siç e ka thënë dhe vetë Berisha që kjo është beteja e tij dhe nuk mund të jetë betejë e PD. Në të gjitha vlerat e ekzistencës së kësaj partie, është kursi i saktë, i qartë, i pandryshueshëm i partneritetit me aleancën euro-atlantike. Këtu besoj askush, dhe jo vetëm Basha apo Berisha, por çdo demokrat, nuk negocion asgjë. As vetë Basha nuk do donte t’i merrte vendime të tilla, aq radikale”, tha Alibeaj.