Aplikacion
Lajmi u konfirmua edhe nga CBS News nga zyrtarët amerikanë ku deklaruan se i dyshuari për rrjedhjen e dokumenteve shumë të ndjeshme të mbrojtjes dhe inteligjencës amerikane quhet Jack Teixeira.
FBI kishte ngushtuar numrin e njerëzve që ata besojnë se mund të jenë përgjegjës për rrjedhjet dhe kanë kryer intervista ditët e fundit, thanë më herët dy persona të informuar për këtë çështje. Ndërsa ka një numër të madh njerëzish që kishin akses në dokumente, hetuesit kanë qenë në gjendje të fokusohen në një numër të vogël për një shqyrtim më të hollësishëm falë gjurmëve mjekoligjore të lënë nga personi që postoi dokumentet. Hetuesit po punojnë për ngritjen e një rasti për ndjekje penale, thonë persona të njohur me këtë çështje.
Për këtë çështje ka folur edhe presidenti amerikan Joe Biden gjatë vizitës së tij në Irlandën e Veriut.
“Po zhvillohet një hetim i plotë, siç e dini, në komunitetin e inteligjencës dhe Departamentin e Drejtësisë. Dhe ata po afrohen”, u tha Biden gazetarëve në Dublin më 13 prill, duke komentuar për herë të parë publikisht pas rrjedhjes së dokumenteve. Biden, i cili është duke e bërë një vizite katër-ditore në Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës, shtoi se ai “nuk është i shqetësuar për rrjedhjen”.