zoom

Aktualitet

EMRAT/ Një i vrarë e dy të plagosur në Tropojë, 5 në pranga për moskallëzim krimi. Autori në arrati

Policia e Kukësit njoftoi sot se 5 persona janë vënë në pranga nga blutë e Tropojës, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur të mërkurën në një lokal, në fshatin Breg-Lumë.

Të ndaluarit janë Andrin Qehaja, Xhevolin Macaj, Altin Shpendi, Anton Boçi dhe Jetmir Kuraj.

Saimir Sadiku, 40 vjeç, akuzohet se  plagosi me thikë Valentin Pepkolaj, 32 vjeç, Shkelzen Kukaj, 45 vjeç dhe Adrian Pepkolaj, 24 vjeç, ky i fundit si pasojë e plagëve ndërroi jetë në spital, ndërsa 2 të tjerët janë ende nën kujdesin e mjekëve. Policia thotë se pas hetimeve 5 persona u arrestuan pasi akuzohen për moskallëzim krimi.

Ndërkohë që Saimir Sadiku është shpallur në kërkim, policia ka referuar tashmë materialet pranë Prokurorisë.

Njoftimi i policisë:

“Përkrahën autorin e vrasjes me mjete prerëse të një shtetasi dhe të plagosjes së dy të tjerëve, kryer pasditen e djeshme, për motive të dobëta, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, identifikohen dhe vihen në pranga 5 shtetas.

Ndërkaq, Policia vijon intensivisht kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e autorit shtetasit Saimir Sadiku 40 vjeç, pasi plagosi me mjete prerëse, shtetasit Valentin Pepkolaj, 32 vjeç, Shkelzen Kukaj, 45 vjeç, si dhe shtetasin Adrian Pepkolaj, 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital.

Në vijim të veprimeve Policia arrestoi 5 shtetas, konkretisht;

-Andrin Qehaja, 39 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

-Xhevolin Macaj, 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

-Altin Shpendi, 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-Anton Boçi, 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-Jetmir Kuraj, 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi përkrahën autorin e vrasjes me mjete prerëse të një shtetasi dhe të plagosjes së dy të tjerëve, kryer pasditen e djeshme, për motive të dobëta, në një lokal në fshatin Breg-Lumë. 2 të dëmtuarit vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve”. /ZOOM.AL/