Aplikacion
Grupi prej 11 personash, nga të cilët katër ishin shqiptarët Jorgo Gega, 37 vjeç, Kristjan Prifti, 23 vjeç, Manuel Toska, 35 vjeç dhe Euklid Ago, 35 vjeç, akuzohen për të paktën 35 raste vjedhjesh në zona të ndryshme të Athinës.
Shtatë prej të akuzuarve, sipas mediave greke, janë në kërkim, ku bën pjesë edhe Euklid Ago.
Skema e vjedhjes
Që prej majit të vitit 2023, referuar grupit hetimor, anëtarët e grupit vidhnin automjetet gjatë natës dhe më pas i parkonin për disa ditë, duke zëvendësuar targat e tyre me ato që korrespondojnë me të njëjtin lloj automjeti, për të shmangur zbulimin.
Pas kësaj, ata i zhvendosnin mjetet në një dyqan demontimi, duke kryer ose falsifikimin e tyre, ose çmontimin e tyre për t’i shitur pjesët e tyre si pjesë këmbimi.
Më pas, hajdutët kërkonin për makina të të njëjtit model me ato të vjedhura, por që ishin të dëmtuara ose të aksidentuara, për t’i blerë me një çmim shumë herë më të lirë.
Pasi i blinin, ata hiqnin çdo ngjitëse identifikuese nga këto makina, për t’i ngjitur më pas në mjetet e vjedhura.
Po ashtu, ata prodhonin kopje çelësash për këto automjete dhe siguroheshin që ato të kalonin me sukses kontrollin teknik, për t’u pajisur me dokumentacionin e nevojshëm.
Në fund, hajdutët i parkonin mjetet në vende të ndryshme, deri në shitjen e tyre.