Aplikacion
“Diçka e bukur po vjen…fjalë zemre, si fjalë kënge. Tashmë në një libër të bukur e të vërtetë”, u shpreh Arlinda dhe njerëzit u shprehën të emocionuar për këtë prurje të re.
Ende nuk ka detaje mbi librin në fjalë, por mund të lidhet me historinë e jetës së Elsës, përvojën në burg, pas arrestimin për akuzat se ishte pjesë e një grupi mafioz dhe të tjera detaje.
Elsa ka folur në një intervistë në podkastin “Zë me Mirën” dhe tregoi përjetimet e saj, ku ka rrëfyer përjetimin e saj gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Atë mëngjes të tmerrshëm, 16 mars 2022 ndërkohë që unë flija paqësisht në orën 5 të mëngjesit, flija së bashku me vajzën time përqafuar, më paraqiten në shtëpi 7 policë të armatosur deri në dhëmbë. Përdhunojnë shtëpinë time deri në detaje dhe gjejnë vetëm libra, vepra arti, instrumente muzikore dhe lodra fëmijësh”, kujtoi Elsa.
View this post on Instagram
Më pas, ajo vijoi:
“Më shihnin si të çuditur, sepse kërkonin diçka në shtëpinë time që nuk ekzistonte dhe unë i pyesja vazhdimisht, u thoja: “Çfarë po kërkoni, në radhë të parë nga unë dhe çfarë po kërkoni këtu? Këtu nuk ka asgjë”! Një proces verbal ku rezultonin të sekuestruar vetëm celulari im dhe iPad-i i vajzës sime. Çdo gjë ishte absurde. Pra, nuk gjehet asgjë në shtëpinë time. Nuk gjehet asgjë në telefonin tim. Nuk gjehet asgjë përsa i përket figurës sime. Nuk kishte asgjë në lidhje me figurën time, por përsëri ata duhet të ekzekutonin urdhrin për të më çuar atje ku më çuan”.
Këngëtarja tha se periudha e izolimit ishte gati kafshërore dhe më pas, tregoi edhe për komunikimin e parë që kishte në 2 muaj:
“Komunikimi i parë…Kisha një refren që ishte: “Jam e pafajshme”! Nuk kam rreshtur së e thëni këtë gjë. “Ju lutem më kuptoni, jam e pafajshme”! Ju lutem më kuptoni, jam e pafajshme, nuk kam bërë asgjë. Përse jam këtu?”. “Do të ta shpjegojmë kur të vijë avokati yt!” (përgjigjeshin), tha Elsa.
Ajo tregoi se nuk kishte avokat dhe se e kishte takuar avokatin e çështjes pas 3 javëve:
“Unë nuk kisha avokat. Jam futur atje brenda pa avokat, sepse kurrë në jetën time nuk më është dashur një avokat për jetën që kam bërë. Nuk kam pasur nevojë. Avokatin e kam takuar pas tre javëve. Është një rast i rrallë, sepse zakonisht më tregojnë se kur ndodhin këto gjëra, avokati ka të drejtë të shkojë të takojë klientin e tij menjëherë. Unë e kam takuar pas 3 javëve, e para sepse nuk kisha një avokat dhe deri sa u gjet nga miqtë dhe nga familja ime, të cilët ishin jashtë këtij lloj ambienti dhe ka qenë e vështirë dhe për ta që të gjenin dikë të ndershëm që të më ndihmonte. Pra refreni im ishte: “Jam e pafajshme! Jam e pafajshme”! Dhe më pas u thashë të futeshin në Google dhe të shihnin kush unë isha dhe çfarë dija të bëja dhe cila jam realisht. Jam një artiste nuk jam një kriminele! Ju lutem, shkoni dhe lexoni mbi mua, dëgjoni zërin tim. A mundet një njeri që transmeton atë që transmeton me emocionet e saj, njëkohësisht t`i bëjë dëm shoqërisë? Të jetë një kriminele?, tregoi këngëtarja, e prekur.
Elsa shtoi se edhe se arrestimi i saj ishte absurd, pasi e mira dhe e keqja nuk mund të qëndrojnë bashkë:
“Nuk mund të qëndrojnë të dyja figurat bashkë sepse është e pamundur të qëndrojnë të dyja. E bukura dhe e shëmtuara në të njëjtin trup nuk mund të bashkëjetojnë dhe shumë shpejt e kuptuan të gjithë. Gardianet, pasi kishin parë se cila isha, në ditët në vijim, ndryshuan totalisht sjellje me mua.
Ajo shtoi:
“Bashkëbisedonim në mënyrë “normale”, jo si një superiore me një qenie inferiore. Mundoheshin të më ndihmonin, të më ruanin nga individë të rrezikshëm”, theksoi, duke thënë edhe se kishte shumë frikë.
Elsa rrëfeu edhe se pasi u shpall e pafajshme, përjetoi triumfin dhe sigurisht, e ceku edhe pjesën e komenteve në Shqipëri, duke thënë se nuk i kishte lexuar, por ama, ia kishin treguar. Ajo shpjegoi edhe pse zgjodhi të mos reagonte kurrë, pasi sipas Elsës, do të ishte një tjetër mënyrë për t’u bërë lajm nëpër media.
Elsa Lila bëri me dije se të gjitha kujtimet e saj gjatë kësaj periudhe, do t’i rrëfejë në një libër të cilin është duke e shkruar.
Më 16 mars të vitit të kaluar, Elsa Lila ishte ndër 9 personat e arrestuar nga policia italiane, si pjesëtare e një grupi të përbërë nga italianë dhe shqiptarë, të përfshirë në shitjen e drogës.
Mediat italiane, si “La Repubblica” apo “Il Messaggero”, raportuan se Lila ishte një nga 9 të arrestuar nga ekipet antimafia në Romë, ndërkohë që ishin lëshuar 13 urdhër arreste. Sipas raportimeve, Lila mbante llogaritë e shitjes së drogës.