zoom

Aktualitet

Elbasan/ Punonjësit e inceneratorit në protestë për pagat

Punonjësit e Inceneratorit të Elbasanit kanë protestuar përsëri këtë të hënë, për shkak se nuk u janë shlyer pagat e prapambetura.

Sipas punonjësve, kompania Albtek ende nuk u ka dhënë pagën e muajit mars.

Ata kërkojnë marrjen e rrogës së muajit mars, kohë kur Inceneratori i Elbasanit nuk i kishte kaluar ende Bashkisë së Elbasanit, por u sekuestrua nga SPAK. Sipas punonjësve, një rrogë do të thotë shumë për ta, pasi të gjithë kanë probleme të shumta sociale, ku mezi sigurojnë mbijetesën.

Arsye tjetër që punëtorët e inceneratorit kanë ndalur punën sot është ulja e rrogës. Nëse në kohën kur impianti drejtohej nga privati merrnin 32.000 leke, sot ajo është reduktuar në 19.300. Sipas tyre, ata nuk po mundin të marrin as rrogën minimale të deklaruar nga vetë qeveria.

Punonjësit e seleksionimit të mbetjeve protestuan edhe disa muaj më parë për mosmarrjen e pagave. Pasi rasti u bë publik në media, ata mundën të shlyheshin, ndërsa sot problematika e tyre është edhe më e madhe, sikundër është ulja e pagës./ Zoom.al

Postime të lidhura