zoom

Aktualitet

Ekstradimi “Dakut”,truri që organizoi atentatin ndaj të fortit të Vlorës e lidhja me motrat Nikolli

Leonard Luzi, që akuzohet se organizoi një vit më parë vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullasë në qytetin e Vlorës, u ekstradua sot nga Spanja.

Emri i Luzit u përmend një ditë para arrestimit të tij më 18 korrik nga Alda Nikolli.

Me pretendimin se Nuredin Dumanit vijon aktivitetin kriminal brenda qelisë, Nikolli tha se i penduari i drejtësisë vendos gjoba nga qelia.

Sipas saj, Dumani “do t’i vendoste gjobë edhe Leonard Luzit”.

“Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion. Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit. Ai kështu jeton duke u vënë gjoba njerëzve sepse nuk ka lekë”, shprehet ajo.

Luzi do t’i bashkohet Amarildo Xhanej Nikollit në ambientet e paraburgimit “313” në Tiranë.

Si u planifikua vrasja?

Vrasja Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla dështoi sepse në gusht të 2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, Policia ndaloi Amarildo Nikollin.

Ky i fundit, kishte tërhequr vëmendjen e uniformave blu të qytetit, pasi në një ditë të nxehtë gushti, qarkullonte nëpër Vlorë i veshur me një xhup për të fshehur tatuazhet që kishte në trup.

Por metoda që zgjodhi për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë në zonë, e evidentoi tek efektivët e Policisë që ndërhynë në kohë për të ndalur atentatin. Shënjestrat ishin dy: Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla!

Sipas SPAK, eleminimi i dy personazheve të njohur në Vlorë, do të bëhej për hakmarrje, dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri Erigert Zejno.

Nga “zbërdhimi” që SPAK i bëri çështjes, doli në përfundimin se Leonard Luzi (Zejno) është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejnon.

Duke shtuar si bonus edhe hakmarrjen për vrasjen e kushëririt, “Daku” rezulton se është paguar nga një person, që deri më tani nuk është identifikuar me emër, për të eliminuar fizikisht Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.

Kështu, “Daku” mblodhi grupin e tij. Për të kryer detyrën që kishte marrë përsipër kontaktoi me Amarildo Nikollin, Muharem Koroveshin (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejnon.

Këta dy të fundit kishin rolin e ndihmësit. Si njohës të zonës i kanë siguruar armët Nikollit dhe e kanë ndihmuar në terren për të identifikuar ata që do të ishin shënjestrat e tij.

Pasi i riu nga Shkodra të kryente atentatin, sërish këta të dy do ta ndihmonin që të largohej nga vendi i ngjarjes.

Tani që është në pranga, pritet që të mësohet e rrëfyer në vetë të parë se përse Leonard Luzi kërkonte me kaq ngulm të vriste sidomos Inez Hajrulla?

Kjo pasi për këtë vrasje do jepeshin gjithsej 500.000 euro.

Në rrëfimin e Nikollit flitet për një person që jeton në Dubai dhe që kërkonte me vendosmëri eliminimin e ‘Sakatit’.

Por cili është ky personazh, dhe cila ishte pengesa që i kishte krijuar Hajrulla dhe pse ai kishte gjetur Leonard Luzin, për ta quajtur të mbyllur këtë punë?

Deri më tani, në bisedat mes Luzit dhe Nikollit, të dy nxjerrin edhe emrin i një personazhi të rëndësishëm të krimit në qytetin e Shkodrës. Flasin për një “Dorian”, që për hetuesit, dyshohet se është Dorian Duli.

Plani për të vrarë Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn, SPAK mbyll hetimet, si u kap në minutat e fundit Amarildo Nikolli

“Midis këtyre personave duket se ka pasur një dërgim foto nga ‘Djalli’ tek ‘Daku 123’ ku ky i fundit i thotë ‘Ky ishte ai që thoshte në Shkodër’. Dhe më pas është mesazhi ‘Dorian’. Dyshohet se ky emër është ai i personit Dorian Duli. Por nuk kuptohet përse nuk është përmendur ky emër. ‘Daku 123’ dhe ‘Djalli’, flasin për një punë tjetër. Dyshohet në Shëngjin ku edhe po shkoi keq jepen 15, por duhet të marrin lekët fillimisht. ‘Do flasim bashkë për ta kry’, duket se i thotë ‘Djalli’, ‘Dakut 123’. Më datë 7 Gusht 2023, ‘Daku 123’, interesohet se çfarë bëhet andej dhe a ka ndonjë lëvizje. ‘Djalli’ i shkruan se nuk ka lëvizje dhe ngre dyshimet se mos kanë lëvizur. Po ai ‘Sakati’ aty është?, – pyet ‘Daku 123’. ‘Djalli’ i shkruan: ‘Se shoh kun, as e kam pa kun, se po e pamë i q…motra’”, thuhet në dosje.

Por të jetë Duli personi që jeton në Dubai dhe kërkon eliminimin e Hajrullës?

Të gjitha këto do t’i zbardhë vetë Luzi, i cili gjithashtu mund të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, ashtu si Amarildo Nikolli.

Postime të lidhura