zoom

Ekonomi

Eksportuesit kërkojnë takim me qeverinë: Leku u forcua me 14%. Banka të bëjë transparencë!

Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut e nisi këtë javë në rënie të fortë, pas rritjes së javës së kaluar. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 102.87 lekë, në rënie me pothuajse tre lekë nga niveli ku mbylli javën e kaluar.

Përmes një deklarate shoqata e eksportuesve kërkojnë transparencë nga Banka e Shqipërisë për tendencën e rënies së euros dhe rritjen e numrit të zyrave të Këmbimit Valutor.

“Pati një tendencë rritje të euros, e cila ndaloi po aq shpejt sa tentoi të niste.  Në fakt nga publikimet në ëebsite të BSH, kemi konstatuar zhvillime habitore të tregut të valutave, sikurse është rritja e numrit të Zyrave të Këmbimit Valutor, madje edhe përgjatë periudhës së pandemisë (ndonëse askush nuk dilte jashtë)”

Gjithashtu ata i kërkojnë BSH-së të bëjë transparencë për situatën ekonomiko financiare në vend  dhe shpjegim mbiçmimin e lekut në mënyrë të menjëhershme me 14% në dy muajt e fundit.

“Kërkojmë pikërisht këtë transparencë nga Banka e Shqipërisë, bashkë me shpjegimet se mbiçmimi i lekut është rrjedhojë logjike e zhvillimit ekonomik të vendit. Asnjë ekspert ekonomie që kemi kontaktuar, nuk ka shpjegim ekonomik e makroekonomik për mbiçmimin e lekut brenda një periudhe kaq të shkurtër në masën 14%, ndaj mirëpresim transparencën e Bankës së Shqipërisë, që ta kuptojmë në drejtimin e duhur këtë fenomen” thuhet në deklaratën e shoqatës së eksportuese shpërndarë sot.

Ata shprehin më tej shqetësimin se mbiçmimi i lekut nuk po godet vetëm fasonët, por ka goditur e po falimenton çdo ndërmarrje që prodhon e eksporton dhe shprehen të gatshëm dhe të hapur të takohen me një përfaqësi të qeverisë.

Mbiçmimi i lekut nuk po godet vetëm fasonët, por ka goditur e po falimenton çdo ndërmarrje që prodhon e eksporton. Në vijim, pa dyshim pasojat do i kenë edhe ato që prodhojnë e shesin në vend, pasi importi nuk shpreh rritje proporcionale me situatën e krijuar dhe rritja e çmimeve nga ana tjetër ka ulur fuqinë blerëse. Pra goditet brandi dhe angazhimi qeverisë “made in Albania”, rritet numri i të papunëve, rritet pasiguria në treg dhe krijohet një atmosferë jo transparente në shoqëri në përgjithësi” thuhet në deklaratë.

 

Grupi i shoqatave të eksportit thotë se është i gatshëm të thërrasë ekspertët më në zë të ekonomisë ndër vite dhe është i hapur për të diskutuar mbi këtë çështje me përfaqësuesit e qeverisë, qoftë këshilltarë pranë kabinetit të Kryeministrit, ashtu dhe nga institucionet e tjera përgjegjëse dhe gardiane të politikave ekonomike.