zoom

Ide & Blog

Edi Rama dhe Lulzim Basha vërtetuan se mbyllja e TikTok-ut nuk zhduk as budallenjtë, as urrejtjen nga rrjetet sociale

Mbyllja e TikTok-ut në Shqipëri u promovua nga qeveria si një masë kundër gjuhës së urrejtjes, bullizmit dhe përhapjes së dezinformimit, por kjo javë na tregoi qartë se problemi nuk qëndron te një aplikacion, por te kultura e përgjithshme dhe mënyra si përdoren platformat e komunikimit nga çdo qytetar, sidomos nga ata që pretendojnë të udhëheqin vendin.

Në të njëjtën kohë që qeveria mbyll TikTok-un duke e etiketuar si shkaktar të degradimit të diskursit publik, Edi Rama dhe Lulzim Basha u angazhuan në një luftë qesharake videosh, duke u tallur me njëri-tjetrin përmes përmbajtjeve që më shumë i përshtaten një grupi fëmijësh sesa dy liderëve politikë në prag të zgjedhjeve.

Në vend që të diskutohen çështje si kriza ekonomike, varfëria, emigrimi masiv apo korrupsioni, qytetarët janë të detyruar të ndjekin një telenovelë të pakuptimtë mes Ramës dhe Bashës, ku niveli i debatit politik ka arritur pikën më të ulët të mundshme dhe ku emisione si BBV dhe Për’puthen duken cilësore në krahasim me këtë spektakël të shëmtuar.

Kur ndalon një aplikacion, por jo budallallëkun

Mbyllja e TikTok-ut nuk ka ndaluar as përhapjen e injorancës dhe as degradimin e diskursit publik. Përkundrazi, ky episod e ka bërë të qartë se edhe në mungesë të kësaj platforme, gjithmonë do të ekzistojë një hapësirë ku injorantët të shprehen dhe urrejtja të përhapet.

Rama dhe Basha na dëshmuan më së miri se nuk është teknologjia ajo që prodhon banalitet, por është mungesa e një debati të vërtetë politik që ushqen këtë lloj rrëmuje. Në këtë rast, ata zëvendësuan TikTok-un me kanale të tjera sociale, ku në vend të politikës po dominojnë memet, thumbat dhe videot për klikime.

Nëse vërtet ekziston një problem me bullizmin dhe nxitjen e urrejtjes në internet, atëherë politikanët shqiptarë duhet të shohin veten në pasqyrë. Si mund të ndalojnë të rinjtë të përdorin një gjuhë tallëse apo përçmuese në rrjetet sociale, kur shembulli i parë i kësaj sjelljeje janë ata vetë?

A është kjo një strategji për të shmangur problemet reale?
Nuk është hera e parë që në prag zgjedhjesh, diskursi politik degradohet në një arenë show-mediatik të pavlerë, ku liderët shmangin çdo diskutim mbi realitetin e vështirë të shqiptarëve.

Në filozofi, një nga teknikat më të përdorura në manipulimin e opinionit publik është “spostimi i vëmendjes”. Noam Chomsky dhe Hannah Arendt kanë argumentuar se pushteti shpesh krijon konflikte artificiale dhe debate të kota, vetëm për të shmangur fokusin nga çështjet që prekin vërtet qytetarët.

A nuk po ndodh pikërisht kjo edhe tani?

Në vend që shqiptarët të pyesin pse pagat mbeten të ulëta, pse korrupsioni është endemik, pse mijëra të rinj po largohen çdo muaj, ata janë të mbërthyer duke parë se kush është më “kreativ” në thumbimet dixhitale mes Ramës dhe Bashës.

A mund të ndalosh dezinformimin duke mbyllur një platformë?
Përhapja e gënjeshtrave dhe manipulimit politik nuk lind dhe nuk mbaron me një aplikacion si TikTok. Nëse nesër mbyllet edhe Facebook-u apo Instagrami, do të gjendet një tjetër hapësirë për të vazhduar të njëjtën propagandë boshe.

Në vend të një lufte fiktive kundër platformave sociale, duhet një angazhim serioz për të rritur nivelin e debatit politik dhe edukimit mediatik të publikut. Sepse e vërteta është kjo: injoranca nuk ndalet me një dekret dhe as me një vendim qeverie.

Dhe për sa kohë politikanët shqiptarë e shohin politikën si një garë për më shumë klikime dhe jo si një mjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve, çfarëdo platforme të ndalojnë, thelbi mbetet i njëjtë:

Do të ketë gjithmonë një vend ku budallenjtë të bëjnë zhurmë dhe të mençurit të heshtin. /Nga Gert Zenelaj

Postime të lidhura