Aplikacion
Ironia e gjithë kësaj situate qëndron në faktin se ky është i njëjti Edi Rama që ka urdhëruar mbylljen e TikTok-ut në emër të mbrojtjes së të rinjve nga bullizimi dhe dhuna që prodhon ky fenomen. Por ndërsa thotë se kërkon të mbrojë të rinjtë nga fjalët e këqija, ai vetë, nga maja e pushtetit, u jep dritën jeshile fyerjeve dhe talljeve publike. Ky është një mesazh i qartë: bullizimi është i dëmshëm, por jo kur e bën ai vetë.
Por çfarë duhet të mendojnë prindërit që votojnë Edi Ramën? A duhet t’u thonë fëmijëve të tyre: “Mos e shihni kryeministrin se si bullizon, se ai mundet, por ju jo?” Çfarë ndodh kur një fëmijë dëgjon kryeministrin të thotë se bullizimi duhet luftuar si fenomen i rrezikshëm, por pastaj e sheh atë të përdorë fyerje e përqeshje çdo ditë? A nuk është kjo hipokrizi?
Kur u pyet për këtë sjellje, Edi Rama u përgjigj sot me arrogancë, duke thënë:
“Çfarë do të thotë bullizoj kundërshtarin? Unë nuk i them kundërshtarit as kriminel, as hajdut, as vrasës, as bandit. Këto janë skandale, unë s’i përdor këta. Nuk hyj te familja e kundërshtarit. Ama atë që shoh unë, e ndaj me ju. Kur shoh një buf, këtë unë them. Është buf kënete dhe kjo është mënyrë e sintetizuar për të përmbledhur esencën me atë çka duhet të shohim.”
Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të justifikuar bullizimin. A thua se përdorimi i talljeve, përqeshjeve dhe epiteteve fëminore nuk është bullizëm për sa kohë që nuk përdor terma si “kriminel” apo “hajdut”. A është ky standardi që një kryeministër duhet të vendosë për komunikimin publik? A është e pranueshme që një udhëheqës i vendit të tallet me kundërshtarët në mënyrë kaq të ulët, në vend që të diskutojë për çështje reale?
Rama bullizimin nuk e ka diçka të momentit. Ai ka bullizur gazetarë, qytetarë e politikanë që prej fillimeve të tij në pushtet e politikë. Ai nuk është një rast i izoluar i politikanit që përdor talljen si armë, por ai e ka kthyer këtë në një mënyrë qeverisjeje. Me videomontazhet e tij të përditshme me bufin dhe ironitë e vazhdueshme ndaj kundërshtarëve, ai synon të përçmojë dhe të ulë vlerën e debatit publik, në vend që të ofrojë argumente.
A është kjo mënyra sesi duhet të sillet një kryeministër? A është kjo kultura politike që meriton vendi? Kur qytetarët shohin se një kryeministër përdor një komunikim të tillë, si mund të presin që shoqëria të zhvillohet me respekt dhe etikë? Si mund të çuditen kur shohin të rinj që rrihen përpara një shkolle pasi kanë fyer njëri – tjetrin në rrjetet sociale me fjalë të ngjashme që Edi Rama përdor rëndom për kundërshtarët e tij politikë apo gazetarë e kritikë që nuk i honeps? A nuk është pikërisht ky model që ka sjellë degradimin e komunikimit në rrjetet sociale, në parlament, në shkolla dhe në familje?
Një kryeministër që nuk respekton etikën e komunikimit, që e sheh bullizimin si mjet politik dhe që përdor pushtetin për të fyer kundërshtarët, është shembulli më i keq që mund t’u jepet qytetarëve. Shqipëria nuk ka nevojë për një bullist me gojë të madhe në krye të qeverisë, por për një lider që respekton debatin dhe qytetarët e tij. Qytetarët nuk kanë nevojë as për të parë si i shkëlqejnë ateletet e bardha fringo Edi Ramës nëpër samitet botërore, as të lexojnë lajmet rozë që mbushin “adidas-ët” e tij me konstum. Tek një lider politik gjithësecili kërkon të shohë njeriun që duhet ndjekur si model dhe jo fatkeqësinë që i ka rënë për pjesë ta qeverisë.
Në fund të fundit, ndoshta Edi Rama ka të drejtë për diçka: bufat janë shpendë të mençur, pavarësisht përrallave të prodhimtarisë kinematografike të “Kinostudios Shqipëria Sot”. Dhe nëse ai vazhdon me këtë qasje, ndoshta do të shohë veten të notojë në kënetën politike në të cilën ka kontribuar më shumë se kushdo me baltën që hedh për këdo që i rrezikon pushtetin, lodrën e ëndrrave që do të bënte gjëmën po t’i hiqnin nga duart. – Nga Zoom.al
Ekuinoksi pranveror:Universi po u dërgon mesazhe serioze këtyre shenjave të zodiakut