zoom

In Zoom

Edhe për sa kohë? Aksidente, vrasje, viktima! Ku është policia e Ardi Veliut?

Nga Denisa Skodi

Ajo që pritej te ishte nisja e një fundjave të gëzueshme në jug të vendit, rezultoi në një tragjedi të kobshme. Një familje e tërē u shua në një aksident rrugor. Burrë e grua, përkatësisht 44 dhe 33 vjeç, si dhe vajzat e tyre të mitura, 14 dhe 9 vjeçe humbën jetën në vendin e quajtur “Zona e Kripës”. Po udhëtonin në mjetin e tyre kur  një tjetër makinë i goditi me shpejtësi marramendëse. 4 jetë këputen në mes, një tjetër kronikë e zezë shokon opinionin publik, frika dhe pasiguria rritet!

“Sa pak jemi dhe çdo ditë dëgjojmë vdekje, plagosje, vrasje”, do të ishte komenti i lënë në faqen e Zoom.al nga një qytetar, lidhur me ndodhinë në fjalë.

Ku gjendet policia në këtë mes, është ajo që kërkon të dijë me të drejtë cilido; qofshin kalimtarët që u druhen trotuareve apo çdokush që sot nget një makinë në Shqipëri dhe duhet të mbijetojë në xhunglën e rrugës.

Ku është sot policia e Ardi Veliut? Ku ishte dje, në aksidentin e Elbasanit apo atë në Maqellarë? Ku është çdo ditë, ku tanimë është e pamundur të mos raportohet minimalisht një aksident rrugor apo një vrasje brenda 24 orëve?

A mund të ishte parandaluar kjo e sotmja? A mund të mos ishte gjymtuar javë më parë e reja, që u përplas nga një makinë e cila ecte me shpejtësi skëterrë në një prej lagjeve kryesore të Tiranës?

Të mospaturit frikë nga ndëshkimi duket se është arsyeja që nxit një pjesë të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor, e kryesisht injorimin e normave të shpejtësisë, problematikë kjo që policia mundet dhe duhet t’i vendosë fre!!!

Ndërmarrja e hapave parandaluese është një taktikë e vlefshme për të penguar dhe shmangur një aksident të mundshëm. Postoblloqet policore në kryqëzime ose akse kyçe si dhe kontrollet me radarë ndihmojnë në patjen nën kontroll të situatës. Aksi Levan-Vlorë është një rrugë jo pak problematike, çka nisur edhe nga rrethanat (fundjavë, dyndje drejt bregdetit) lind nevojën jetike për mbikëqyrje policore. Gjë që mungoi!

Vetëm në kryeqytet, numri i rasteve ku mbeten të plagosur këmbësorët është shqetësues ( jo më larg se pak ditë më parë, 2 kalimtare u përplasën në bulevardin “Migjeni”, ndërkohë që përplasje makinash “kokë më kokë” numëron në cdo cep të vendit: Durrës, Memaliaj, Mallakastër, Bilisht, Peqin e shumëkund tjetër.

Panorama e përgjithshme në vend është e errët. Vrasje, atentate, aksidente; zhvillime këto që po zbehin përherë e më shumë ndikimin dhe rolin e uniformave blu. Kështu gishti ngrihet natyrshëm drejt kupolës që harton politika, merr vendime dhe organizon punën dhe veçanërisht mbi drejtorin e Përgjithshëm, Ardi Veliu.

Një polici e përlyer në skandale, e përfolur për përdorje në fushata elektorale; një polici e shpërfytyruar që ka harruar funksionin dhe detyrën jetike, të parandalojë rreziqe që u kanosen qytetarëve nga shkelësit e ligjit. Por kur në detyrë të mbajnë lidhjet politike si pasojë e shërbimeve që u bën dhe jo aftësia profesionale, parandalimi i ngjarjeve kriminale duket detyrë e pamundur për policinë nën drejtimin e Ardi Veliut. /Zoom.al