zoom

Politikë

“E takova në burg”/Ngjela zbulon historinë me Nanon: Donin ta vrisnin në qeli, e shpëtova

Avokati Spartak Ngjela, ka rikujtuar sot disa episode të jetës së tij me ish-kreun e Partisë Socialiste Fatos Nanon.

I ftuar në një emision, Ngjela tregoi se gjatë kohës kur Nano ishte në burg ata ishin takuar rastësisht, teksa ky i fundit sipas tij ishte në formë dhe në humor të mirë, teksa kishin biseduar për gjëra të zakonta së bashku.

Ai zbuloi se gjatë trazirave të vitit 1997, kur shërbente si Ministër i Drejtësisë, ishte informuar se ndaj Nanos do të kishte një tentativë për vrasje në qelinë ku mbahej ky i fundit.

Ngjela tregoi më tej se me të marrë këtë informacion kishte urdhëruar hapjen e burgjeve, me Nanon që kishte refuzuar të arratisej fillimisht. Më pas ai kishte dërguar një makinë zyrtare për të marrë Nanon nga qelia dhe për të shmangur vrasjen.

“Kur u krijua PS nuk pata besim se vinte nga partia e punës. Nanon e njihja si intelektual, por nuk ia dija forcën politike. Aty doli për herë të parë. I hoqi gjithë liderët dhe e ktheu partinë në socialiste nga Partia e Punës. Unë e kam ndjekur me vëmendje asokohe dhe kishte shumë optimizëm majtas, por më pas e futën në burg. E takova në burg gjatë një hetimit tjetër.

Folëm për gjëra të parëndësishme, ishte në formë dhe bëmë humor. Pastaj erdhi lufta. Kur erdhi lufta e mora me makinë se donin ta vrisnin në vitin 1997. Dhashë makinën unë, u thashë që ta dërgonin në shtëpi. Ishte makinë shteti. I hapa burgjet unë se do vrisnin këtë. Më lajmëruan se do e vrisnin. Hapa burgjet, nuk çava kokën fare, por ky nuk dilte pastaj. E konsideronte arratisje dhe e kishte saktë. Pas kësaj u kthye deri sa mori revanshin e vetë”, tregoi Ngjela.

Postime të lidhura