zoom

Të gjitha

E kuruar si Victoria Beckham, ja ‘sekrete‘ e grimit që duhet të dini

Ajo ka bërë një rrugë të gjatë nga muzika pop te bota e modës. Me kalimin e viteve ka eksperimentuar me stilin, modelet dhe ngjyrat e flokëve,madje edhe me ndërhyrjet e vogla estetike, por nëse ka një gjë që e karakterizon gjithmonë në çdo dalje publike është eleganca, duke e bërë të duket më e sofistikuar dhe e sigurt në vetvete. E kemi fjalën për Victoria Beckham. Artistja e grimit Wendy Rowe, e cila ka punuar për shumë vite me të, ka rrëfyer disa prej sekreteve të saj.

Victoria Beckham e di mjaft mirë se çfarë i përshtatet tipareve të saj dhe për këtë arsye nuk gabon kurrë me grimin. I pëlqen të duket gjithmonë elegante dhe të theksojë tiparet që i pëlqejnë më shumë te vetja, si psh sytë e sfumuar (smokey eyes). Kjo teknikë është zgjidhja ideale për çdo moment sepse ju bën të dukeni më tërheqëse.

Ajo ka fatin e mirë të ketë vetulla të plota dhe të trasha, për këtë arsye shmang lyerjen dhe konturimin e tyre. Për Victorian është e rëndësishme të përdorë produkte sa më natyrale dhe të shëndetshme dhe vaji i ricinit është një prej tyre. Përpos vetullave, ajo lyen me të edhe qerpikët pasi ky vaj ka acide yndyore shumë të shëndetshme që nxisin rritjen e tyre.

Nuk e kemi parë kurrë Victoria Beckham me një buzëkuq të ndezur dhe nuk besojmë ta shohim ndonjëherë. Duke qenë se dëshiron që vëmendjen ta marr/ kryesisht shikimi, mamaja e katër fëmijëve zgjedh për buzët kryesisht ngjyrat e tokës ose nude, (natyrale). Për të krijuar efektin e buzëve të plota, artistja e saj e makeup-it tregon se bën disa hijëzime të errëta në mes të buzës.  “Lëkura e saj shkëlqen edhe pa shumë produkte, kështu që gjithçka që bëj është vetëm të nxjerr në pah tiparet e saj më të mira”, përfundon Rowe.