zoom

Aktualitet

Dumani: Pak denoncime nga institucionet për korrupsion, shefa policie të lidhur me krimin. Gati…

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, po raporton sot në Komisionin e Ligjeve, ku ka bërë një bilanc të punës së institucionit që drejton.

Gjatë fjalës së tij u ndal te mandati i prokurorëve, ndërsa shtoi se duhet një zgjatje e mandatit për ta. Po ashtu ai nënvizoi faktin se mungojnë referimet nga institucionet publike, duke e përsëritur kritikën publike të dia muajve më parë.

Dumani u pyet nëse është dekonspiruar operacioni i SPAK, ku u prenë 50 urdhër-arreste. Ai tha se në dijeninë e tij, mega-operacioni nuk është dekonspiruar. Ai tha se në dijeninë e tij, mega-operacioni nuk është dekonspiruar: “Nuk kam asnjë të dhënë apo indicie që operacioni është dekonspiruar”, u shpreh ai.

Dumani u pyet nëse SPAK ka presion politik. Ai tha se SPAK është i shurdhër sa i përket presionit politik. Sipas tij, marrëdhënia e Strukturës së Posaçme është me ligjin. “Disa shefa komisariatesh e shefa krimesh janë përfshirë në krime. Por, me Policinë ne bashkëpunojmë përditë. Ne kemi marrëdhënie procedurale në rastet kur na duhet t’i thërrasim. Ne jemi të shurdhët nga retorikat politike. Jemi përgjegjës përballë ligjit dhe shoqërisë civile”.

Ai tha se fenomeni i bashkëpunimit të policisë me krimin është real, ndërsa e cilësoi ulëritëse faktin që drejtues të kësaj strukture kanë rezultuar se ishin pjesë e këtyre krimeve.

Kreu i SPAK Altin Dumani në fjalën e tij përpara Komisionit të Ligjeve tha se Struktura e Posaçme ka nisur punën për hetimin e krimeve zgjedhore gjatë 2025. Dumani theksoi se duke qenë se 2025 do të jetë vit zgjedhor, SPAK do të këtë në vëmendje krimet elektorale. Ai tha se janë trefishuar veprat penale të hetuara për zgjedhjet e 2023. Ne kemi nisur përgatitjet dhe në janar do bëjmë prezent publike strategjinë që do ndërtojmë për veprat penale të vitit 2025. Kemi nisur punën që tani për t’i dalë përpara punës. Është trefishuar numri i krimeve zgjedhore që janë hetuar.

Pjesë nga fjala e Dumanit:

“Të nderuar deputetë, ne kemi paraqitur disa shqetësime që shpresojmë të gjejnë mbështetje dhe zgjidhje ligjore nga Kuvendi, siç janë mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimi të mandatit, mungesa e këshilltarëve ligjorë, adresimi i ngarkesës të shtuar ndaj drejtuesit të SPAK mbi çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencës të komisionerit publik, mungesa e referimet nga institucionet publike, shtimi i numrit të hetuesve të BKH, numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura”, pohoi kreu i SPAK.

Gjatë vitit 2023 janë sekuestruar pasuri të paluajshme, portofola kriptovalutash. 22 hetime pasurore janë regjistruar, janë paraqitur në gjykatë 8 vendime për sekuestrim ndërsa gjykata ka vendosur që të sekuestrojë 7 raste. Janë dhënë nga gjykata 6 vendime për konfiskim pasurie. Nga GJKKO janë marrë 8 vendime me sekuestro preventive. Nga GJKKO janë marrë 20 vendime me objekt konfiskimi përmes të cilave janë konfiskuar 4 pasuri të paluajtshme 11 pasuri të luajtshme dhe euro e lekë shqiptare. Janë dënuar 9 zyrtarë të nivelit të lartë nga GJKKO. Janë hetuar 4 ish-magjistratë, që janë shkarkuar nga Vettingu. Janë dënuar 2 ish-magjistratë. Me ndihmën e OBDAT ku sistem do të fillojë fazën pilotuese në muajin qershor dhe parashikohet që deri në dhjetor ky sistem të jetë në funksion”. /ZOOM.AL/