zoom

Politikë

Duçka dhe Neza, kush janë njerëzit e Ramës që i paguan 225 mijë dollarët agjentit të FBI

Kryetari i Partisë Demokratike në një konferencë për mediat ka denoncuar lidhjet e kryeministrit Edi Rama me zyrtarin e lartë të FBI-së i arrestuar së fundmi nga autoritetet amerikane për lidhje me shërbimet secrete ruse.

Sipas Berishës në vorbullën e stuhisë së krijuar nga McGonigal, gjendet kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe dy bashkëpunëtorë të tij.

Bëhet fjalë për Dorian Ducckën dhe Agron Nezën, të cilat sipas Berishës i kanë dorëzuar zyrtarit të FBI-së një shumë të madhe parash në emër të Edi Ramës.

Deklarata

Dje dhe sot, mediat më të mëdha në botë, kanë informuar publikun e SHBA, publikun e Europës dhe botës se McGonigal, zyrtari më i lartë në historinë e FBI, u arrestua ditën e shtunë, në aeroportin JFK, në Nju Jork, teksa kthehej nga një udhëtim në Europë.
Pak muaj më parë, kam denoncuar para publikut shqiptar, lidhjen e ngushtë të Edi Ramës me këtë aset të shërbimeve ruse.
Charles McGonigal u ngarkua në grupin e prokurorit special Mueller, ish-drejtorit të FBI, për hetimin e lidhjeve të presidentit Donald Trump me rusët. Por, FBI, gradualisht gjeti se ky vetë, shef i kundërinteligjencës së metropolit të SHBA, Nju Jorkut, kishte lidhje të sëmura ruse.
Por, në vorbullën e stuhisë së krijuar nga McGonigal, gjendet sipas të gjithë medieve të botës, kryeministri shqiptar, Edi Rama. Dhe, dy lejtnantë kryesorë të Edi Ramës, ish-zyrtari i lartë i qeverisë së tij, aktualisht paraqitet si këshilltar, një supermafioz me lidhje ndër më të dyshimtat, që quhet Dorian Duçka. Dhe i dyti, bashkëpunëtor i ngushtë i Edi Ramës, ish-oficer i policisë sekret hoxhiste, Agron Neza.
Disa muaj më parë, juria e madhe, e San Françiskos, urdhëron, pasi njihet me dosjen McGonigal, që të hetohet dhe konfiskohet çdo regjistrim material, çdo dokument, çdo komunikim personal, përfshi këtu, por jo i kufizuar, tekstet e mesazheve të celularëve, mesazhet elektronike me email, mesazhet e fshehta, e kriptuara, mesazhet zanore, letrat, shënimet, midis Charles McGonigal dhe personave të poshtëshënuar:
Qeverisë së Shqipërisë ose çdo personi të lidhur me qeverinë e Shqipërisë, përfshi, por jo vetëm, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ka porosi për qeveri të tjera ballkanike, por njeriu i vetëm që citohet me emër në këtë urdhër të jurisë së madhe, është Edi Rama. Të hetohen të gjitha takimet, takimet e skeduluara, midis Charles McGonigal dhe çdoi punonjësi të FBI, me përfaqësues të misionit të SHBA në OKB. Çdo udhëtim i kryer nga Charles McGonigal në Shqipëri. Të hetohet çdo pagesë dhuratë, që i është dhënë atij nga Agron Neza, që paraqitej si këshilltar për sigurinë i Edi Ramës, Dorian Duçka si këshilltar i plotfuqishëm i Edi Ramës, ose çdo person i lidhur me qeverinë e Shqipërisë.
Ka edhe për qeveri të tjera të Ballkanit, por emrat janë vetëm për shqiptarët.

Pra, siç e shihni, një juri e SHBA, vuri nën hetim Edi Ramën dhe këshilltarët e tij.

Çfarë është zbuluar ndërkohë?

Është zbuluar se Edi Rama, nëpërmjet Agron Nezës, i ka dorëzuar Charles McGonigal 225 mijë dollarë në një dorë. 80 mijë dollarë në një dorë tjetër, sipas medieve.

Çfarë është zbuluar në këto lidhje të tmerrshme mafioze spiunazhi? McGonigal ka përfaqësuar një nga bosët e mafies ruse, Oleg Deripaska, i cili ose për të cilin ka lobuar te Edi Rama.

Çfarë është Dorian Duçka? Është një mafioz i punësuar si drejtor për katër vite në një konglomerat energjetik kinez. Ju kujtohen avionët që merrnin Edi Ramën dhe Olsi Ramën që i çonin në Pekin? Ato i sillte drejtor Duçka. Kjo kompani është në hetim të thellë në Kinë dhe SHBA njëkohësisht.

Dorian Duçka, sipas FBI, qëndron në paradhomën e kryeministrit. Ai përdor emailin dhe adresën qeveritare. Sipas hetimeve të FBI, përdor email qeveritar të Shqipërisë dhe adresë të qeverisë së Shqipërisë.

Mediat kanë filmuar Duçkën tek del nga kryeministria me eksponentë kryesorë të kartelit më të fuqishëm në botë të drogës, Sinaloa.

Edi Rama përdori ish-oficerin e policisë sekrete për hetime kundër opozitës në Nju Jork.

Dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë faktojnë se nga zyra e kryeministrit, Agron Nezës iu dhanë të dhëna konkrete për qytetarë amerikanë që lobonin për opozitën. Këto u vunë në survejim nga aseti i burimeve ruse, McGonigal.

Edi Rama ka biseduar me McGonigal për investime ruse në Shqipëri, sipas të dhënave publike. Se imagjinoni se çfarë ka dosja në fshehtësi.

Nuk them se u takuan në Davos, por ai po kthehej në Europë. Ka rëndësi se Edi Rama, kur e denoncova në parlament këtë lidhje ruse të Edi Ramës, këtë lidhje me një aset të rrezikshëm, Edi Rama reagoi si vijon: Jam krenar me miqësinë që kam me të!