zoom

Të gjitha

“Dua u prit me lëvdata se ka bërë art jashtë vendit”/ Besa Kokëdhima: Po përfitojnë me emrin e këngëtares së famshme

Para disa ditësh, Dua Lipa së bashku me familjen dhe të dashurin e saj, Anwar Hadid, erdhën në Shqipëri ku zhvilluan takime me kryeministrin, Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Takimi i saj me Ramën u komentua gjerë e gjatë ne media dhe rrjete sociale ku shumë prej tyre e cilësonin këtë takim si propagandën e radhës nga ana e drejtuesit të shtetit.

Në lidhje me këtë ngjarje së fundmi, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar edhe këngëtarja e njohur, Besa Kokëdhima, ku shprehet se Dua u prit me lëvdata, sepse ka bërë art jashtë vendit të saj. Besa thekson se artistët në Shqipëri nuk vlerësohen dhe se yjet e vetëm që spikasin janë politikanët që bëjnë spektakël.

“Dua Lipa eshte nje yll! Por Dua u be edhe ne nje shtet e treg prej verteti. Nuk do kish as pritje me levdata, kortezira e tapete po te kish qene ne Shqiperi, pa te drejta autori, pa prioritarizim e mbeshtetje per artin, ne kushtet mjerane qe e kane katandisur artin dhe artistet Shqiptare. Po te kish qene Dua ne Shqiperi, muziken e saj do e quanin jokomerciale, nga perdorimi i muzikes se saj do perfitonte o te ardhura, do bazohej jetesa e saj artistike mbi evente sporadike ne clubs apo perdorimit nga politikanet ne prag fushatash apo nevoja inagurimesh. Keta habiten shume qe kur ke talent mund te behesh yll, se ne Shqiperi yjet e vetme nga kalon gjithcka jane politikanet. Rockstaret me ekstravagante e showmen-et me te spikatur jane politikanet”, shkruan Besa në reagimin e saj.

Për të sqaruar një herë e mirë këtë deklaratë ku shumë menduan se ajo është kundër këngëtares së famshme, ishte sot e ftuar në emisionin “Breaking” në Top News.

Besa u shpreh se statusi i saj në rrjetet sociale nuk është aspak kundër Duas, pasi ajo duhej të pritej edhe më mirë se kaq për gjithë kontributin që jep për Shqipërinë. Ajo tregon se është bërë me dashje keqinterpretimi i statusit të saj.

“Nuk ishte kundër Duas, ajo i ka bërë marketim të mirë Shqipërisë. Dua, Bebe, Rita apo Ava Max. Kjo tregon se potenciali për artistët shqiptarë është i madh, nëse vendoset në kushtet e tregut. Më shumë akoma duhej të bënin për Dua Lipën, Në vend që të bënin pllaka për disa emra, duhej të vendosin emrin e Duas në licera”, tha Kokëdhima, e cila shtoi se ajo ka dashur të thotë se po përfitojnë në emrin e këngëtares së famshme.

Këngëtarja tregon se ajo çfarë ka dashur të thotë është se “pse në Shqipëri nuk fillon të ekzistojë e drejta e autorit?”.

“Në Shqipëri kemi një problem të vogël. Njerëzit mendojnë se muzika dhe artistët janë 5 apo 10 këngëtarë. Arti i një kombi është ndërgjegjja e kombit. Duhet të investohet në muzikë dhe sport. Shteti investon që të ketë diversitet kulturor, në muzikë. Nuk janë vetëm 10 interpret që mund të xhirojnë nëpër lokale, ku janë krijuesit? Në Shqipëri është shumë e vështirë të gjesh një krijues.Cili është trajtimi që u bëhet autorëve, aktorëve, sportistëve, që duhet të jenë elita e vendit. Çfarë ndihmese bën, çfarë strategjia ka Ministria e Kulturës për artin?

Kosova ka dy medalje ari sot, pse nuk i ka edhe Shqipëria që është shumë më e vjetër. Pasi Kosovaa një dëshirë dhe një investim në këtë aspekt. Rrënimi i artit është rrënimi i ndërgjegjes shqiptare”, tha Kokëdhima.

Kjo e fundit shtoi se në vendin tonë mungon vizioni dhe ngre pyetjen “a mendojnë ata që drejtojnë se arti ka vlerë? A duhet të investojë në zhanre të ndryshme që janë pasuri kombëtare?”.

Besa tha se edhe pse të përzgjedhur në mënyrë preferenciale më shumë ka bërë Bashkia me koncertet në Amfiteatër, se sa qeveria.

“Pavarësisht se me preferenca, por edhe kjo është një gjë për të ngjalluar artin”, tha ajo.

Ndërkohë Kokëdhima tregoi se prej disa kohësh ka jetuar në Francë, ndërsa tani po bën gjysmën e vitit në Shqipëri e pjesën tjetër andej.

“E kam të ndarë mes Shqipërisë dhe Francës. E kam firmosur një kontratë diskografike dhe kam realizuar një pjesë të albumit gjysmë shqip dhe gjysmë frëngjisht. Jam e kënaqur për eksperiencën që bëj atje”, përfundoi këngëtarja e njohur.