Aplikacion
Kjo lloj mburrje, edhe pse e pavend, nuk qe rastësi, pasi deri në gusht 2024 Proda ka qene vetë drejtor i Policisë së Elbasanit.
“Rritja e forcës policore parandaluese mundësoi që gjatë vitit 2024, në këtë qark të mos kishte asnjë vrasje. Ky rezultat nuk ishte shënuar që nga viti 1989,”- u shpreh i pari i Policisë, i cili dukshëm harroi ngjarjen në qendër të Elbasanit ku një i ri, krejt i pafajshëm, u vra në shtëpinë e tij për shkak të atentatit me tritol që iu bë fqinjeve të tij, motrave Nikolli.
29-vjeçari Enea Thomaraj nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda dhe pas tre muajsh beteje, ndërroi jetë në spitalin e Traumës.
Ngjarja vijon të jetë edhe sot, pa autor.
Statistikat “frytdhënëse” nuk i lanë hapsirë kryepolicit të përmendte në analizë një nga ngjarjet më tragjike që tronditi juglindjen gjatë vitit që lamë pas. Vrasjen e Egli Progës në qytetin e Korçës, ngjarje e cila nxiti polemika, reagime madje edhe protesta në të gjithë vendin.
Marrë të mirëqenë fjalën e Prodës, se asnjë vrasje kriminale nuk ndodhi gjatë vitit 2024, kjo nuk e ndryshon faktin se Elbasani vijon të jetë “Palermo” i Shqipërisë, si një nga qytetet me kriminalitetin më të lartë në vend, i marrë peng prej vitesh nga bandat. Dosja “Suel Çela” do të nxirrte zbuluar përfshirjen e policisë në hesapet e bandave, si informatore e tyre dhe bashkëpunëtore.
Suel Çela vijon ende sot të mbetet i lirë, teksa media të ndryshme raportojnë se ai po vijon të fshihet në qytetin e Elbasanit. Pak javë më parë, një denoncim për Qytetarin Digjital bëri me dije se anëtarë të bandës së Çelës dhunuan kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja, në zyrën e tij.
Drejtori i Përgjithshëm u ndal edhe në zgjedhjet e 11 majit, duke kërkuar nga të gjitha strukturat policore të jenë të baraslarguara nga subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore.
Si për ironi të fatit, Elbasani është pikërisht vendngjarja e një nga skenave më të rënda të krimit që lidhen me zgjedhjet në dekadat e fundit. Vetëm katër ditë para votimeve të 25 prillit të katër viteve më parë, u vra Pjerin Xhuvani dhe u plagosën disa të tjerë për shkak të çështjeve elektorale. Hetimet zbuluan më vonë se nëse policia do të kishte ndërhyrë, ngjarja do të ishte parandaluar. Zoom.al/