zoom

Lajme

Drafti/ Tokë publike, “dhurata” e socialistëve për privatët. Opozita: Ligj me porosi!

Propozuar në mars të këtij viti nga deputeti Eduart Shalsi, një ndryshim në ligjin për privatizimin e pronave shtetërore, synonte kalimin e përgjegjësisë nga ministria e Financës tek Ekonomia.

Brenda një seance 60 minutëshe në komisionin e Ekonomisë, projektligji u transformua.

Shalsi shkruante në kërkesën e tij dërguar Kuvendit, se qëllimi është që administrimi dhe shitja e pronës shtetërore të kalojë tek ministria e Ekonomisë, pasi pas ndarjes nga Financat, ligji njihte të dyja struktura si përgjegjëse për pronën shtetërore.

“Prandaj vlerësohet e domosdoshme harmonizimi legjislativ dhe delegimi i procedurës së shitjes në një institucion të vetëm, proces i cili krijon eficiencë dhe leverdisshmëri administrative, pasi aktualisht sot janë krijuar dy struktura që merren me shitjen e pronës publike, proces i cili sjellë kosto të panevojshme për buxhetin e shtetit” shkruhej në propozimin e socialistit Shalsi.

Gjatë shqyrtimit në Komision, ku u fut pa kaluar në një konsultim publik, socialistët e tjerë tjetërsuan tërësisht draftin fillestar.

Ishte Blerina Gjylameti ajo që propozoi që në këtë ligj të rregullohet dhe shitja, shkëmbimi e dhurimi i pronave publike, për qëllime të investimeve private në sektorin e turizmit.

“Aktet ligjore parashikojnë vetëm shitjen, në praktikë ka ndodhur edhe shkëmbimi. Nevojitet që të rregullohet shkëmbimi me anë të këtij ligji. Kjo është në linjë dhe me ligjin e shpronësimit. Ky ligj rregullon dhe shembjen e objekteve në pronë shtetërore për të cilat është dhënë një plan zhvillimi. Shpenzimet e shembjes dhe vlera kontabël e objekteve përballohen nga kompania private” , sqaroi deputetja Gjylameti.

Pas fjalës së saj, deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se mënyra se si qeveria po tenton të ndryshojë këtë ligj është shembull i një “shteti të kapur”. Ajo kërkoi që ligji të kalojë në konsultim publik dhe të rishqyrtohet në komisione.

“Ndryshimet e sotme janë kryekëput ndryshe nga propozimi fillestar. Ky është shembull i ligjeve të kapura. Ju jepni leje zhvillimi në një pronë shtetërore, që është në shkelje të ligjit dhe thoni se nëse atje ka objekte, fabrika, garnizone, godina, ju i shembni. Në këtë ligj ju vendosni kompetenca për rregullimin e territorit dhe e lidhni dhe me investimet strategjike. Këto ndryshime i përkasin ministrisë së Ekonomisë” u shpreh Tabaku teksa theksoi se ligji lë hapësirë për korrupsion pasi e bën shtetit një shkëmbyes pronash me individët.

Tabaku shtoi se nuk mund të jepet leje zhvillimi për një privat në një tokë publike.

Shtesat në draftin e ri

Me futjen e termit “dhurim” dhe “shkëmbim” në këtë ligj, investitorët privatë do të munden të përfitojnë falas tokën publike. Në ligjin e 2008-s, që herë pas here është rregulluar me udhëzime shtesë, ekziston vetëm blerja dhe shitja e pronës shtetërore. Sipas propozuesve, shkëmbimi i pronës njihet në Kodin Civil të Shqipërisë.

Kjo pikë përplasi socialistët me njëri-tjetrin dhe demokratët.

Erion Braçe ngriti shqetësimin se si një subjekt privat apo individ mund të përfitojë falas tokë publike. Ai propozoi që të ketë përfshirje të shtetit, njësoj si në portin e Durrësit dhe kërkoi nga kolegët e tij shembuj të rasteve se kur mund të dhurohet apo shkëmbehet një pronë publike.

Shalsi iu përgjigj duke thënë se këto kritere do të përcaktohen me anë të një VKM-je.

Po ashtu, ligji i vjetër parashikon se në rastet kur ka në pronën shtetërore që do të shitet ka një godinë.

Shembja e objekteve shtetërore, për llogari të privatit është termi tjetër i shtuar në ligj, që më herët parashikohet vetëm në ligjin për rregullimin e territorit.

“Objektet në tokat shtetërore, për të cilat është parashikuar një plan zhvillimi, deri sot, janë shembur pa një legjislacion që e rregullon në mënyrë specifike këtë çështje, por bazuar kryesisht në legjislacionin për rregullimin e territorit. Për të mbrojtur më mirë interesat e shtetit, u propozua që të parashikohet në ligj dhe në aktet nënligjore që shpenzimet e shembjes së këtyre objekteve dhe vlera kontabël e tyre, të përballohen nga investitori. Ky propozim synon që institucioni, i cili ka pasur në administrim ose pronësi objektin që do të shembet, të mund të arkëtojë shpenzimet për shembjen e tij”, thuhet në propozimin e ri të socialistëve.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Endrit Yzeiraj i pranishëm në komision dha dakordësinë e tij për draftligjin e ri. Sipas tij, këto ndryshime “plotësojnë kuadrin ligjor dhe mbrojnë interesin publik”.

Pak orë më herët, projektligji krijoi debat në Kuvend, që pritet ta miratojë po brenda ditës së sotme (16 maj 2024).

Opozita këmbënguli që qeveria të tërhiqej nga ky draft dhe ta çonte fillimisht për konsultim, por mazhoranca votoi kundër. Të dyja kampet e PD-së, vlerësuan se ky projektligj është klientelist dhe po bëhet me porosi nga oligarkët.