Aplikacion
Siç bëjnë me dije burime pranë grupit të hetimit është marrë dëshmia e oficeres së sigurisë me inicialet J. K., e cila e ushtronte këtë detyrë në shkollën “Fan Noli’ prej një viti e gjysmë.
Dëshmitarja tregon se menjëherë mbasi u informua për konfliktin mes nxënësve, ka njoftuar drejtoreshën e shkollës “Fan Noli”, mësuesen kujdestare dhe psikologen.
Burimet e Top Channel citojnë se oficerja kishte mësuar për sherrin mes M.P., autori i arrestuar, dhe viktimës Martin Cani nga një mësuese që dëgjoi tonet e larta mes tyre e sharjet për mamatë.
“Shkova në tualet dhe vura re që nxënësit nuk ishin atje. Më pas thirra Martin Canin që më tha se kur kishte hyrë në këto ambiente kishte sharë kot dhe se shtetasi M.P., e kishte marrë personale me të. Thirra M., dhe më tha se nuk kishte asnjë problem me të, të dy ishin të qetë me njëri-tjetrin”, shprehet oficerja për grupin e hetimit.
Por mbas orës së 6 të mësimit ajo mori dijeni për krimin e ndodhur.
Veç dëshmive të nxënësve që u përfshinë në përleshje, prokuroria ka administruar edhe një pamje filmike, ku M.P., shfaqet duke u larguar me një send në dorë në dukje si thikë.
14-vjeçari i akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese të fëmijës, shprehet në dëshminë që Top Channel e disponon, se e njihte Martinin si një nxënës të klasë së 9 paralele.
“Nuk kam patur konflikt më parë. Atë ditë dola nga shkolla isha së bashku me shokun tim. Në atë moment më thirri Martini i cili ishte me dy apo më shumë persona që nuk i njihja. U ndava nga shoku im dhe u afrova tek Martini që më tha të shkoja me të, të sqarohesha, pa më thënë çfarë. Ecëm përpara dhe shokët e tij na ndiqnin pas. Pasi ndaluam më goditën”, deklaron M.,, i cili këmbëngul se nuk mban mend të ketë përdorur thikë.
Por shoku i Martinit të vogël, Luisi, që mbeti i plagosur gjithashtu, përshkruhet nga dëshmitarët e tjerë të mitur se ishte personi i parë që qëlloi me grusht në gjoks M.
Luisi tregon se gjatë momenteve të sqarimit mes fëmijëve teksa po ecnin dëgjoi pyetjen “o çuna a dini ndonjë vend ku blihen buqeta me lule?”
I akuzuari për vrasje, M.P., që ka kërkuar disa herë ndryshim mase, ka dorëzuar edhe dëftesën e notave ku rezulton me nota të mira, kërkesë që nuk është pranuar nga gjykata.
M.P., vazhdon të mbahet në burgun e të miturve, pasi siç thotë gjykata, vepra për të cilën dyshohet ajo e “vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një të mituri”, është një krim për të cilin ligji parashikon dënimin jo më pak se njëzet vjet ose burgim të përjetshëm./TCH