zoom

Aktualitet

Dosja Buka, përse SPAK ngel në klasë me akuzën e re kundër Arben Ahmetajt

Merrni një student në vitin e parë që studion Financë dhe jepini një ushtrim të tillë:
Dy ortake bien dakord që të themelojnë një shoqëri. I pari vendos si kontribut një mollë, kurse ortaku tjetër një dardhë. Në momentin e themelimit të shoqerisë molla dhe dardha e kanë çmimin nga 1 lek secila. Të dyja bashkë bëjnë dy lekë. Pra, kapitali themeltar i shoqërisë është dy lekë dhe secili nga ortakët zotëron 50 për qind të aksioneve.

Në një moment të caktuar, pas një viti po themi, ortakët vendosin të bëjnë rivlerësimin e shoqërisë. Gjatë kësaj kohe çmimi i mollëve është rritur në 2 lekë ndërsa ai i dardhëve ka mbetur 1 lekë. Vlera e shoqërisë tashmë është 3 lekë, sepse 2 lekë vijnë nga molla dhe 1 lek nga dardha. Pyetja për studentin është kjo: Si ndahen aksionet e shoqërisë pas rivlerësimit?

Nëse studenti i viti të parë përgjigjet se ortaku që ka kontribuar me mollën tashmë duhët të ketë 2 herë më shumë aksione sesa ai që vuri dardhën, atëherë ai ngel automatikisht në provim. Sepse pesha e kuotave kontributive nuk ndryshon asnjeëherë, pas rivlerësimit të aseteve të kompanisë. Ndryshon vlera e tyre, por jo përqindjet e aksionereve. Sepse aksionerët janë gjithmonë pronarë 100 për qind si për asetet ashtu dhe për detyrimet.

Kjo është ajo që ka bërë SPAK në dosjen Buka. Në vitin 2014, shoqëria Buka iu nënshtrua rivlerësimit nga një ekspert i pavarur. Në këtë shoqëri, shteti dhe pronarët e truallit zotëronin së bashku 50.7 për qind të aksioneve. Pjesa tjetër prej 49.3 për qind zotërohej nga 475 pronarë privatë, të cilët e kanë privatizuar në vitin 1996, në kohën kur ministër financash ishte Dylber Vrioni.

Emil Nova, kështu quhej eksperti i pajtuar ne 2014-ën, vlerësoi se vlera e truallit ishte rritur nga 37 milionë lekë që ishte vlerësuar në vitin 1995, duke arritur në 536 milionë lekë.
Shoqëria Buka kishte 38 mijë e 700 metër truall të ndarë në dy ambiente. Rreth 30 mijë metër ndodhen tek Fabrika e Birrës, ndërsa pjesa tjetër prej 8320 metër ndodhet në rrugen 5 Maji. Kjo e fundit zotërohej nga pronarë privatë, ku pjesën më të madhe e ka familja Myderizi.

Meqenëse toka u rivleresua dhe çmimi i saj u rrit me disafish, SPAK shkruan në aktakuzë se eksperti i pavarur duhet të kishte ndryshuar shpërndarjen e kuotave. Sipas aktakuzës ai nuk duhet t’u kishte dhënë 4.73 për qind të aksioneve në shoqërinë Buka, pronarëve të truallit, por duhet t’u kishte dhënë 26.17 për qind të aksioneve, pas rritjes së vlerës së tokës. Ndërsa pjesa e shtetit duhet të ulej nga 47 për qind në 24.53 për qind.

Tani zëvendësoni pronarët e truallit me ortakun e mollevë dhe shtetin me ortakun e dardhëve tek ushtrimi më sipër. Dhe SPAK ngel në klasë!

Nuk ka rishperndarje kuotash asnjëherë nëse në një kompani rritet vlera e një aseti të caktuar. Ajo që ndodh është që rritet vlera e kompanisë në total dhe çmimi për secilin aksion, i cili shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme tek të gjithë aksionerët, por kurrë shpërndarja e aksioneve.
Dhe kjo është ajo që ka ndodhur në shoqërinë Buka. Pronarët e truallit zotërojneë 4.73 për qind të aksioneve, të cilat më parë vlenin 11.3 milionë lekë, ndërsa pas rivlerësimit vlejnë 35 milionë lekë. Sepse është trefishuar çmimi për aksion për shkak të rivlerësimit.

Nëse eksperti do kishte ndryshuar peshën e aksioneve duke prekur kapitalin kontributiv, atëherë ai duhet të shkonte direkt në burg. Atëherë SPAK do të duhet të ngrinte akuzë për demtim të interesave të shtetit. Ky do të ishte korrupsion. Dhe aktakuza, ashtu siç është shkruar, u thotë zyrtarëve pse nuk e vodhët shtetin, për të favorizuar privatin.

Të gjithë ne tani na mbetet të shpresojmë se kjo është një gafë që vjen nga mungesa e ekspertizës dhe jo për shkaqe të tjera. Edhe e para është e pafalshme për një prokurori në të cilën është investuar aq shumë para. Por nëse do të ishin arsye të tjera, kjo do tëvinte një hije të madhe mbi kredibilitetin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

Nëse SPAK ka prova të tjera, që zyrtarët e ministrisë së Ekonomisë përfshirë Arben Ahmetajn kanë marrë rryshfet në privatizimin e Buka sh.a, atëherë kjo është një çështje tjetër. Por të ngresh akuzë për rishpërndarje kuotash, pas rivlerësimit të një aseti është gafë shumë e rëndë. Dhe ka një provë shumë të qartë për këtë. Pse nuk ngrihet akuzë për ekspertin e pavarur që ka bërë ndarjen e aksioneve? Sepse nëse ky është krim atëherëë autori është eksperti. Por në këtë rast eksperti ka zbatuar vetëm ligjin.

Dhe këtu vlen edhe një sqarim. Kompania nuk u privatizua me çmimet e vitit 1994. Përkundrazi, u shit me çmim tregu. E gjithë vlera e tregut të kompanisë ishte 735 milionë lekë dhe 45 për qind e aksioneve të shtetit u shitën për 338 milione lekë, ose gati 3.2 milionë euro, pavarësisht se gjykata e anulloi më vonë privatizimin.

Ah po. Ka diçka të paqartë në të gjithë këtë histori. Si ka arritur biznesmeni Lirim Fezollari, që fitoi ankandin e privatizimit, të marrë lejen e ndërtimit në gusht 2018, pasi gjykata e kishte anulluar privatizimin në nëntor 2017? Por kjo është një çështje që SPAK nuk e ka prekur në hetim. Ndoshta edhe në këtë rast për arsye objektive.

Por italianët thonë se dy indicie bëjnë një provë. Dhe kjo po rrezikon ta shndërrojë çështjen Buka në gjyqin e parë politik në Shqipëri pas reformës në drejtësi. Korrupsioni behet kur zyrtarët publikë shkelin interesin e shtetit për të favorizuar privatin. Në këtë rast është ngritur akuza e kundërt. Zyrtarët po akuzohen se pse mbrojtën interesin e shtetit dhe nuk u dhanë më shumë aksione privateëve. Çka do teë ishte e paligjshme, përveçse korrupsion. /Titulli i origjinalit: Dosja Buka dhe nje gafe e rende qe nuk i sherben askujt