zoom

Aktualitet

DOKUMENTI/ Shehaj zbulon mashtrimin e Ramës: Portin e Durrësit nuk do e ndërtojë Emaar

Deputeti demokrat, Agron Shehaj ka publikuar të tjera fakte që vërtetojnë se Portin e Durrësit nuk do ta ndërtojë gjiganti Emaar Group, por familja e Muhamed Alabbar.

Bëhet fjalë për deklaratën e administratorit që është pjesë e marrëveshjes, e cila po diskutohet në Kuvend dhe ku në mënyrë të qartë përcaktohet se Portin e Durrësit nuk do ta ndërtojë Emaar.

Shehaj thotë se Rama mashtroi kur tha se Portin do e ndërtojë Emaar, pasi në të vërtetë atë do e ndërtojë kompania “Eagle Hills” me përfitues fundor Muhamed Alabbar dhe familjen e tij.

Statusi i Agron Shehajt

Edi Rama mashtroi publikisht kur tha se Portin e Durrësit do ta ndërtonte Emaar. Sipas vetë deklarimeve të kompanisë “Eagle Hills” në institucionet shtetërore, përfituesi fundor që po merr Portin e Durrësit, rezulton Muhamed Alabbar dhe familja e tij.

Siç dëshmohet qartë nga kjo foto, Alabbar rezulton të ketë 40 për qind të aksioneve fundore në Portin e Durrësit, ndërsa familiarët e tij rezultojnë të kenë 60 për qind të tjerat. Pra Porti i Durrësit, projekti 2.1 miliardë euro i shumë trumbetuar nga qeveria dhe kryeministri është thjesht një biznes familjar.

Në projekt nuk ka as Emaar as princ kurore siç mashtronte publikisht Edi Rama, por është vetëm familja Alabbar. Me pak fjalë, qeveria shqiptare po bën ligj dhe po hyn në marrëveshje 2.1 miliardë euro vetëm me një individ, të cilit po i falen 820 mijë metër tokë, mbi 300 milionë euro taksa dhe për hir të këtij biznesi po shkatërrohet porti më i madh tregtar i vendit.

E megjithatë edhe ky zinxhir pronësie është i bazuar në vetdeklarimet e kompanisë Eagle Hills. Askush nuk mund të provojë se kush qëndron realisht pas aferës së portit të Durrësit, pasi skema e përdorur është thuajse identike me atë të inceneratorëve, marrëveshje me individë dhe kompani të sapokrijuara pa asnjë historik financiar.