Aplikacion
Dokumenti i paraqitur në Kuvend përbëhet vetëm nga tre faqe dhe ka plot gjashtë nene për një aferë që sipas opozitë e ka vlerën 2.1 miliardë euro.
Në nenin dy të projektligjit që deputetët do ta votojnë në seancën parlamentare të 24 nëntorit parashikohet fakti që shoqëria që do të ndërtojë hotelet dhe pallatet në portin e Durrësit do të përjashtohet nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin që ajo duhet të japë për strehimin social.
“Shoqëria e përbashkët për realizimin e projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social, sipas legjislacionit në fuqi për sistemin e taksave vendore dhe legjislacionit në fuqi për strehimin social. Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji”, thuhet në projektligj.
Dokumenti që i është paraqitur sot deputetëve, përpara se të nisin diskutimin nëpër komisione e më pas në seancë parlamentare, parashikon që së bashku me të janë edhe shtojcat e marrëveshjes, por që deri në këto momente nuk janë bërë publike.
Pas portit qëndron Muhamed Alabbar, president i EMAAR Group, i cili vjen në Shqipëri me kompaninë offshore Eagle Hills Real Estate Development.
Kryeministri Rama e ka përmendur atë shpesh si përfaqësues i EMAAR, por kjo kompani gjigande nuk ka lidhje me projektin, sic e ka konfirmuar për Zoom.al edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Mbi projektin janë hedhur dyshime të shumta në media, të cilat nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet.
Dyshimet kanë të bëjnë me faktin se kompania nuk ka dhënë asnjë garanci se do ta ndërtojë Portin e Jahteve pasi të ndërtojë dhe shesë pallatet.
Po kështu, shqetësimet janë të mëdha, pasi Muhamet Alabbar ka lënë ende pa përfunduar projektin gjigant të Beogradit, “Belgrade Waterfront”, ndonëse kishte premtuar se ai do të ishte investimi më i madh në Ballkan, një projekt disa herë më ambicioz sesa porti i Durrësit.
Ka dyshime gjithashtu se toka shtetërore në Durrës i është falur kompanisë offshore në vend që t’i jepej me përqindje dhe shteti të fitonte më shumë.
Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se fshihet vetë pas portit dhe se projekti do të shërbejë për pastrimin e parave.