zoom

Aktualitet

Dita e “Ujit të Bekuar”, besimtarët Ortodoksë zhyten në ujin e acartë për të kapur Kryqin

Është kremtuar sot nga besimtarët ortodoksë “Dita e Ujit të Bekuar”, me hedhjen e kryqit në disa qytete, teksa besimtarët janë zhytur për ta kapur dhe sfiduan temperaturat e ulëta të ujit dimëror.

Korçë

Kremtimi i festës në qytetin e Korçës ka nisur prej mëngjesit me celebrimin e meshës hyjnore  drejtuar nga Imzot Johani për të gjithë besimtarët në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.

Më pas qytetarët iu drejtuan shatërvanit te lulishtja ”Vangjush Mio”, ku është zhvilluar gjithnjë ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë. Kryqin e kapi për herë te dytë i riu nga Korca Ronaldo Kovaci.

Sarandë

6 Janari i njohur nga besimtarët e fesë ortodokse si Dita e Dritës dhe Ujit të Bekuar, është shoqëruar nga ceremoniali tradicional i Dritës dhe hedhjes së kryqit në detin e Sarandës. Besimtarë të shumtë iu drejtuan kishës së Shën Harallambit, në qytetin e Sarandës, ku morën pjesë në meshën për bekimin e ujit e dhënë nga At Kozmai i kishës “Shën Harallambi”.

Pasi ka dhënë mesazhin e vëllazërimit mes komuniteteve, të jetës në paqe dhe pa të këqija, në mbarim të meshës At Kozmai i spërkati të pranishmit me ujin e bekuar.

Pas meshës në Kishë një numër i madh besimtarësh kanë shoqëruar ceremonialin e hedhjes së kryqit në ujë. Kryqi i shenjtë është hedhur në ujërat e Jonit, nga trampolina e ngritur buzë detit në segmentin e shëtitores përballë me Kishën “Shën Harallambi” në Sarandë. Me hedhjen e kryqit në ujë simbolikisht është bërë edhe bekimi i të gjitha ujërave.

Pas Kryqit janë hedhur në ujërat e ftohta disa të rinj. Kryqin e shenjtë në këtë 6 janar e kapi Leonidha Zisi 47 vjeç, nga Saranda. Është e disata herë që hidhem për kryqin. Falënderoj zotin që më dha mundësinë për ta kapur kryqin. Uroj paqe, mbarësi, shëndet, – tha  47-vjecari Leonidha Zisi që për te ishte e katërta herë që kapte kryqin.

Ceremonia e Dritës së Ujit të Bekuar ka vazhduar më tej me kthimin e besimtarëve në oborrin e kishës “Shën Harallambi”, ku secili prej tyre ka marrë ujë të bekuar për në shtëpitë e tyre.

Gjirokastër

Dita e ujit të bekuar është mbajtur këtë të shtunë edhe në qytetin e Gjirokastrës. Kremtimi i festës ka nisur në kishën Ringjallja e Krishtit ku u mbajtë mesha me të gjithë besimtarët ortodoks dhe më pas vijuan pranë lumit Drino ku kryen ritualin e hedhjes së kryqit.

Këtë vit kryqi u kap nga 13-vjeçari Moisi Merkuri ku në fund përcolli urimin e tij për gjithë besimtarët.

Berat

Hidhet në Berat Kryqi i Ujit të Bekuar,11 të rinj hidhen në ujërat e ftohta të Osumit. Kryqi kapet nga 15-vjeçari Kostansin Boçi, banues në lagjen Goricë. Mesazhe urimi përcollën në këtë ditë At Johan Qako dhe kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo.

Fier

Sot Dita e ujit të bekuar edhe në qytetin e Fierit besimtaret ortodokses paraditen e sotme kanë festuar ditën e ujit të bekuar. Me këtë rast kisha e Shën Gjergjit e këtij qyteti ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë.

Procesioni ka nisur me meshën në kishë dhe më pas vargu i gjatë i besimtarëve i janë drejtuar shatërvanit në sheshin Europa, ku si për çdo vit tjetër ndiqet hedhja e kryqit në ujë.

Në praninë edhe të qindra besimtarëve ortodoks si dhe të qytetarëve të tjerë është ndjekur edhe momenti e hedhjes së kryqit në ujë.

Disa të rinjtë sipas zakonit kanë sfiduar të ftohtin dhe janë hedhur në ujë të motivuar për të fituar ‘trofeun’ dhe më pas shpërblimin. Kryqi është kapur nga Dhimiter Kapaj. /ZOOM.AL/