zoom

Aktualitet

Dhuna në Oborrin Mbretëror, Prokuroria nis hetimet: Pamjet dolën para se Policia të sillte dosjen!

Prokuroria e Tiranës njofton se ka nisur hetim pas denoncimit të Princ Lekës për dhunë, nga ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i saj, Gjergj Zaharia.

Gjithashtu ka nisur verifikime edhe për publikimin e videos, pasi Policia dyshohet si autore e rrjedhjes së pamjeve në media.

Sipas Prokurorisë, nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në organin e akuzës, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.

Nuk dihet si ka nisur konflikti, por nga pamjet shikohet se Elia i kërkon llogari Princ Lekës për një konflikt që ka ndodhur në një prej ambienteve të shtepisë.

“Ti ke goditur babanë tim. Babin tim e ke goditur ti, ai është 70 vjeç, të ka mbajtur me bukë. Ti i pashkollë, me diplomë false. Ke falsifikuar diplomën…!”, dëgjohet Eklia teksa dhunon Princ Lekën dhe ky filmon me celular agresionin.

Leka ka dëshmuar në Polici se ish-vjehrri e goditi me statujë druri, i grisi xhupin, kurse ish-gruaja e dhunoi fizikisht dhe mori urdhër mbrojtjeje, teksa u mjekua te QSUT pas denoncimit.

Policia raportoi se ditën e martë (5 mars), Princ Leka është paraqitur në Komisariatin nr.1 dhe ka denoncuar ish-bashkëshorten dhe ish-vjehrrin e tij, Gjergj Zaharia se kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Ndërkohë të njëjtin pretendim ka pasur edhe Eliza Zaharia se ka deklaruar se është dhunuar nga Princ Leka, me të cilin ka edhe një vajzë, Princeshë Geraldinën.

“Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi L. Z., 42 vjeç, dhe ka kallëzuar se shtetasja E. Z., 42 vjeçe, dhe shtetasi Gj. Z., 71 vjeç, kanë ushtruar dhunë ndaj tij. I është marrë deklarim shtetases E. Z., e cila gjithashtu pretendon se është dhunuar nga shtetasi L. Z. Për të dy këta shtetas janë plotësuar kërkesë paditë për urdhër mbrojtjeje të menjëhershme”, njofton policia.

Leka ka thënë se momentin që ka takuar të bijën 3-vjeçare është përballur me fyerjet dhe kërcënimet e ish-vjehrrit të tij, Gjergj Zaharia.

Sipas Princ Lekës, babai i ish-bashkëshortes iu është drejtuar duke i thënë që: “Ti duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.

“Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendojë e kërcënojë, sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën”, ka deklaruar ai, teksa shtoi se situata ka agravuar dhe ish vjehrri e ka dhunuar, duke e goditur me statujë dhe duke i grisur xhupin. Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur”, pretendoi Princ Leka.

Por 70-vjeçari u mbrojt duke thënë se ai është i moshuar, mezi rri në këmbë dhe ish-dhëndri është dy metra djalë dhe i fuqishëm. Në një prej videove ai u pa me statujën e drurit në dorë.

Njoftimi i Prokurorisë:

“PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË

Prokuroria Tiranë nis hetimet për Veprën Penale ‘Dhunë në Familje’ pas denoncimit të shtetasit L.Z., verifikime edhe për publikimin e videos, provë materiale

Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal.

Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës.

Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale.

Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.

Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjensia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse”. /ZOOM.AL/