Aplikacion
Dy ditë më parë, një 31-vjeçar denoncoi në polici se bashkëshortja e tij bashkë me tre fëmijët, 9, 8 dhe 3 vjeç, janë zhdukur, por këtë të diel (5 maj), blutë kanë arrestuar Ergys Arrazin, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe tre fëmijëve, i dyshuar se ka shkaktuar edhe vetëvrasjen e vajzës 9-vjeçare, e cila u gjet e mbytur në ujërat e lumit Drin.
Policia thotë se vajza 9-vjeçare e Ergys Arrazit është gjetur e pajetë dhe dyshohet se është vetëmbytur, ndërkohë polombarët e RENEA-s vijojnë kërkimet, pasi dyshohet se janë vetëmbytur edhe bashkëshortja me 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.
Policia ka ndaluar bashkëshortin shtetasin Ergys Arrazi i cili më përpara kishte deklaruar për policinë se ka humbur kontaktet me familjen e tij.
Fëmija që u gjet nga peshkatari në mënyrë rastësore një ditë më parë dyshohet se ka shenjë dëmtimi në pjesën e fytyrës.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.
Policia njofton se 31-vjeçari, u ndalua ditën e djeshme dhe ka qenë i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike.
Sipas burimeve, bashkëshortja dhe fëmijët ka dalë nga banesa me kunatën e saj dhe janë ndarë pa lënë dyshime për aktin fatal që kishte planifikuar. Alma është hedhur me fëmijët nga ura e Bunës. Ajo kishte mësuar së fundmi dhe tradhtinë nga bashkëshorti i saj.
Njoftimi i policisë:
Hetimet e thelluara zbardhin një rast të dhunës në familje, që shkaktoi vetëvrasje. Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës. 9-vjeçarja ështe gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna.
Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.
Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.
Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.
Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.
Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.