Aplikacion
Nga të dhënat paraprake mësohet se foshnjën e seksit mashkull, e ka gjetur të vdekur në banesë bashkëshorti i gruas që e ka sjellë në jetë, teksa kjo e fundit mendohet se e ka mbyllur në valixhe. Foshnja është gjetur në gjendje dekompozimi dhe se pas këqyrjes së kufomës, është konstatuar se bëhej fjalë për një vogëlush të gjinisë mashkull.
Mësohet se nëna shfaq prej kohësh probleme të rënda të shëndetit mendor dhe se nuk është në gjendje të japë deklarime para policisë, teksa shtatzënia e saj nuk ishte konstatuar më herët nga familjarët.
Bazuar në dëshminë e fqinjëve, thuhet se kishte raste kur familjarë ose të afërm të saj shkonin për ta vizituar, pasi i shoqi ishte emigrant në Greqi. Ishte pikërisht ky i fundit i cili pasi konstatoi aromë të rëndë në banesë, zbuloi trupin e pajetë të foshnjës brenda një valixheje mëngjesin e kësaj të hëne, duke bërë denoncim në polici.
Lidhur me ngjarjen policia tha se, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi K. Asimllari, emigrant në Greqi, ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Korçë, se ka gjetur në banesën e tij, në lagjen nr. 15, Korçë, një foshnjë të pajetë. Bashkëshortja e tij, e cila vuan nga sëmundje të shëndetit mendor është transportuar në maternitetin e qytetit, për ekzaminime të mëtejshme.
Nëna e shoqëruar nga forcat e Policisë është dërguar në Urgjencën e Spitalit aty ku po merret në pyetje nga mjekia neuro-psikiatër Nikolina Bode, për të mësuar më shumë për gjendjen e saj mendore dhe psiqike. Ajo çfarë dihet është se nëna ka qenë nën kontrollin e mjekëve të Qendrës së Shëndetit Mendor.
Ajo çfarë mësohet është fakti se nëna është mjekuar pranë qendrës së shëndetit mendor, pasi emri i saj gjendet në librin e vizitave por burimi nuk tha nëse e sëmura është e kartelizuar pranë qendrës së shëndetit mendor.
Një fqinje e gruas tha për mediat se nuk e kishin konstatuar shtatzëninë e gruas ndonëse jetonin në të njëjtin pallat.
Shumë e sëmurë është e gjora, në katin e dytë rrinte. I shoqi rri në Greqi. Vete dhe vjen. E sëmurë ka qenë dhe më parë. Ka një djalë por nuk e ka mirë, e ka me të meta mendore. Nuk dinim gjë për shtatzëninë.
“Nuk e dija që ishte shtatzënë, nuk e kam parë, vuante nga probleme mendore, nuk dilte shpesh nga shtëpia. Nga hyrja nuk dilte, nuk e shikoja, ka dhe një fëmijë të rritur. I shoqi e dimë se është në Greqi, vinte shikonte djalin”, është shprehur një prej banoreve.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.