zoom

Aktualitet

Detaje nga pengmarrja në autostradën Tiranë-Durrës, kush e rrëmbeu Indrit Beqirajn?

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga pengmarrja e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në autostradën Tiranë-Durrës.

Lidhur me këtë ngjarje, është shpallur në kërkim shtetasi Agron Bejdolli, pasi akuzohet se ka marrë peng Indrit Beqirajn, si dhe ka dhunuar vëllain e këtij të fundit.

Mësohet se, Bejdolli kishte një lidhje të ngushtë me Aleksander Lahos alias Pëllumb Muharremi i njohur si Rrumi. Ai drejtonte makinën e Rrumit ditën e atentatit ndaj makinës se Arjan Ndoj.

Ndërkohë raportohet se dy vëllezerit refuzojnë te japin shpjegime.

Si ndodhi ngjarja?

Beqiraj është marrë peng për 2 orë pas një sherri me 4 persona.Beqiraj, së bashku me vëllain e tij, Gentianin ishin duke qarkulluar me një motor ‘Piaggo’ nga Durrësi në drejtim të Tiranës. Ato u përplasën nga një mjet, i cili kishte brenda 4 persona. Vëllezërit shkuan për t’u sqaruar mirëpo u konfliktuan. Pasi 4 personat i dhunuan, ata morën Indrit Beqirajn me vete. Por e liruan pas 2 orësh. Ka qenë vetë pengu, ai që ka shkuar në Polici për të bërë denoncimin. Bashkë me të vëllain, ai shkoi dhe deponoi në Polici, duke iu referuar përplasjes si një konflikt të çastit.

Megjithatë, burimet thanë se Policia dyshon që konflikti midis dy vëllezërve dhe autorëve të ketë qenë më i hershëm, e vjen si pasojë e prishjes së pazareve të drogës e për trafik armësh. Të dy vëllezërit Beqiraj kanë precedentë penalë pasi kanë qenë të prangosur në vitin 2013 për lëndë narkotike.