Aplikacion
“Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese, të ndjekë udhëzimet rregullatore, të kryejë mbikëqyrje efektive, të përmirësojë bashkëpunimin e forcave të rendit dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve për t’u përqendruar në korrupsion, pastrim parash dhe krime ekonomike komplekse. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformat e Kodit penal të viteve 2016 dhe 2017“, thuhet në raportin e fundit të DASH.
Më tej, DASH bën bilancet e punës së SPAK dhe rendit goditjet që prokurorët e posaçëm kanë bërë kundër pastrimit të parave, trafikut të lëndëve narkotike dhe kundër korrupsionit.
Në këtë pikë, DASH rikthen në vëmendje arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha me urdhër të SPAK dhe telashet që familjarët e tij kanë me drejtësinë.
“SPAK rriti numrin dhe kompleksitetin e hetimeve për pastrimin e parave dhe sekuestrimet dhe kreu hetime financiare dhe pasurore paralele kur dyshonte për pasuri të paligjshme; megjithatë, ndjekjet penale mbeten të ulëta. Në vitin 2023, SPAK sekuestroi pasuri me vlerë 43 milionë dollarë dhe, në vitin 2024, vazhdoi me arrestimet dhe sekuestrimin e pasurive të ish-zyrtarëve të lartë. Në shtator 2024, SPAK akuzoi ish-kryeministrin dhe të emëruarin sipas “Aktit të Aprovimeve për Operacionet e Jashtme dhe Programet e Ndërlidhura të Departamentit të Shtetit, 2021”, neni 7031(c), Sali Berisha për korrupsion për veprime zyrtare që përfitonin interesat e familjes së tij. SPAK gjithashtu akuzoi dhëndrin e tij për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe pjesën e dhëndrit në kompani të lidhura me korrupsionin“, thuhet në raportin e DASH./ Zoom.al