zoom

Art & Kulturë

Dalin në dritë gjurmë të reja për qytetin ilir në Bushat

Janë dashur 4 javë gërmime për të nxjerrë në dritë gjurmë të reja dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat të Shkodrës.

Gërmimet u drejtuan nga prof. as. Saimir Shpuza i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Prof. Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës në Poloni, në bashkëpunim me arkeologun e DRTK Shkodër, Helidon Sokoli.

Pas fushatave të mëparshme ku u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u lejua të kuptohej shtrirja e tij, gërmimet e këtij viti janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti.

Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek 4 p.k., sipas datimeve paraprake.

Aktiviteti në terren, ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë patur.

Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë për disa vite në përpjekje për të zbuluar sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti. Tashmë falë bashkëpunimit mes Misionit Arkeologjik dhe DRTK Shkodër, po hartohet dosja teknike për shpalljen “Zonë e mbrojtur arkeologjike” A dhe B, duke plotësuar kështu hartën arkeologjike të arealit të Shkodrës edhe me një qytet antik dhe sit arkeologjik të vizitueshëm në të ardhmen.

Misioni Shqiptaro-Polak i cili që nga viti 2011 hulumton në gjurmët e Shkodrës antike, ndër vite ka nxjerrë në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët të tij.