Aplikacion
Dokumentet e publikuara nga gazetari Flamur Vezaj tregojnë se prokurori Klodian Braho, me miratimin e Dumanit, ka urdhëruar përgjimin e gjyqtarit Gent Ibrahimi (e jo vetëm) dhe vëzhgimin e tij për takime të mundshme me persona, që sipas SPAK, kanë qenë të interesuar për të ndërhyrë në Gjykatën Kushtetuese, për të ndikuar në vendimin e saj për përdorimin ose jo të përgjimeve të SKY ECC si prova në çështjet gjyqësore,
Kërkesa ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga i arrestuari i operacionit “Metamorfoza”, biznesmeni shkodran Pëllumb Gjoka. Ai akuzohet për porositje dhe organizim vrasjeje, në bashkëpunim me grupin e Bajrajve.
Sipas SPAK, ka indicie se persona të caktuar kanë ndërhyrë që në zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të kishte arsyetime që favorizonin Pëllumb Gjokën.
“Gjykata Kushtetuese ka njoftuar në faqen zyrtare elektronike se më datë 30.12.2024 ka marrë në shqyrtim çështjen gjyqësore të mësipërme dhe ka vendosur njëzëri rrëzimin e kërkesës.
Njoftimi i mësipërm nuk përmban vendimin e arsyetuar, por është bërë e ditur se vendimi i arsyetuar do të shpallet brenda afateve ligjore të parashikuara në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, si dhe në Rregulloren për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Në nenin 39, pika 11 të kësaj rregulloreje është parashikuar se vendimi arsyetohet brenda 30 ditëve nga përfundimi i seancës.
Aktualisht, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga shqyrtimi i kërkesës dhe njoftimi i vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, ende nuk është njoftuar apo botuar në Fletoren Zyrtare.
Gjatë kësaj periudhe, në pritje të shpalljes së vendimit të arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese, ka informacione dhe dyshime nga persona të interesuar se po bëhen përpjekje për të favorizuar shtetasin Pëllumb Gjoka. Po ashtu, ekzistojnë dyshime se persona të tjerë me interesa të kundërta po kryejnë veprime për të ndikuar te anëtarë të caktuar të Gjykatës Kushtetuese, me synimin që vendimi të arsyetohet në një formë të favorshme për kërkuesin Pëllumb Gjoka.
Sipas informacioneve, edhe pse Gjykata Kushtetuese ka vendosur rrëzimin e kërkesës, palët e interesuara po kërkojnë të ndikojnë në formulimin e vendimit të arsyetuar, me qëllim që të krijohet hapësirë për kushtezimin apo relativizimin e përdorimit të provave nga aplikacioni SkyECC në procesin gjyqësor. Ekzistojnë të dhëna se personat e interesuar mund të kenë ushtruar ndikim te gjyqtari Gent Ibrahimi me qëllim për te realizuar qëllimin e tyre në mënyrën e formimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar, kundrejt përfitimit apo premtimit të përfitimeve të parregullta.” – thuhet në shkresën e SPAK.
Përgjimi është zhvilluar nga 10 deri më 25 shkurt 2025, pa miratim nga gjykata, pasi për përgjimet ambientale nuk është i nevojshëm vendimi i gjykatës, por SPAK mund t’i realizojë ato për 15 ditë me vendim të prokurorit.
Çështja në fjalë ka marrë vëmendjen e mediave në ditët e fundit pas një kërkese që kryetarja e Gjykatës Kushtetuese bëri për të marrë informacion./Zoom.al