zoom

Aktualitet

Dalin detaje të reja nga atentati në Kamëz, “i forti” i ‘Myslym Shyrit’, ofroi 40 mijë euro për eliminimin e biznesmenit

Për ngjarjen e ndodhur në 9 shkurt në Kamëz, ku iu vendos lëndë plasëse poshtë makinës shtetasit Gjon Mena, policia e Tiranës ka arrestuar tre persona.

Sipas raportimeve, në pranga janë vendosur Gjergji Cukali, 42-vjeç, i njohur ndryshe dhe si “i forti i Myslym Shyrit” dhe dy vëllezër, Enver J., 33 vjeç dhe Edmond J., 24-vjeç.

Burime për mediat informojnë se Gjergji Cukali besohet se është porositësi i vrasjes me eksploziv të mbetur në tentativë. Gjithashtu ky i fundit i ka premtuar 40 mijë euro dy vëllezërve, për eliminimin e Menas.

Fillimisht ai u ka dhënë atyre 10 mijë euro, duke i premtuar se do i jepte 30 të tjera në momentin e eliminimit të 32-vjeçarit Mena. Njëri nga vëllezërit ishte marrë me krijimin e lëndës plasëse, ndërsa tjetri kishte për detyrë ta vendoste poshtë makinës luksoze të Menas.

Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar një makinë, e cila besohet se është përdorur nga dy vëllezërit në momentin që kanë vënë lëndën eksplozive në makinën e Gjon Menës.

Policia ndërkohë është duke punuar për zbardhjen e konfliktit mes Menas dhe Cukalit, por vlen për t’u theksuar se dy shtetasit kanë precedentë të theksuar kriminal, si brenda dhe jashtë vendit.