zoom

Aktualitet

Covid-19 rëndon Kosovën, Vendi drejt mbylljes totale

Kosova po shkon drejt një mbylljeje totale.  

Është ky paralajmërimi i bërë nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, i cili në intervistën për Radion Evropa e Lirë tha se brenda dy ditëve të ardhshme pritet të hyjnë masa të reja në fuqi.

Avdullah Hoti: Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa.

“Jemi duke i ndjekur protokollet që i kanë zbatuar edhe vendet e tjera, por ne jemi në një situatë më të vështirë për shkak të kapaciteteve të limituara në spitale, për të akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për shërbim spitalor.

“Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat “Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale”.

Numra të lartë të të prekurve me Covid-19 janë regjistruar ditët e fundit në Kosovë. Vetëm në 24 orët e fundit, janë shënuar 596 raste pozitive. Që nga fillimi i pandemisë, numri numri total i rasteve pozitive është 25.388 raste me virusin Covid-19 dhe 773 raste vdekjeje.