zoom

Ekonomi

Çmimet botërore të grurit bien me 10% duke u kthyer në vlerat e fillimit të prillit

Çmimet botërore të grurit po bien, duke u rikthyer në të njëjtat nivele si 2 muaj më parë pas dritës jeshile nga presidenti rus Putin për të përdorur portet e pushtuara për eksporte edhe për prodhimet e Ukrainës.

Në mbylljen javore të Bordit të Tregtisë së Çikagos gruri kuotohej me 10.4 dollarë për buhel (27.2 kilogramë), me një ulje prej 10% tre ditë duke u kthyer në vlerat e fillimit të prillit.

Në rënie janë edhe çmimet e misrit të destinuar për ushqimin e kafshëve, i cili bie në 7,27 dollarë për buhel për shkak të rënies prej 6,4% në 3 ditët.

Nisja e anijeve nga portet e Detit të Zi nënkupton zbrazjen e magazinës ukrainase, ku vlerësohet prania e mbi 20 milionë tonë drithëra përfshirë grurin, elbin dhe misrin e destinuar për eksport, si në vendet e pasura ashtu edhe në vendet më të varfra, ku bllokada rrezikon të shkaktojë trazira dhe zi buke.

A do reflektohet ulja e çmimit në Shqipëri?

Një pjesë e madhe e furrave të bukës aplikuan në muajt e parë të këtij viti rritje të çmimit të produktit me 10 lekë. Një nga shkaqet që çuan në këtë rritje, sipas përfaqësuesve të këtyre bizneseve, ka qenë rritja e çmimit të miellit.

Statistikat tregojnë se për vitin e kaluar, tregjet kryesore nga importohej gruri ishin Rusia dhe Serbia. Importet nga këto dy shtete përbënin rreth 82% të importeve totale të grurit në Shqipëri. Në vendin e tretë renditet Ukraina, me rreth 6% të totalit, ndërsa tregjet e tjera kanë një peshë të vogël në strukturën e importeve të grurit.

Sipas statistikave, Shqipëria importoi vitin e kaluar rreth 245 mijë tonë grurë, ndërsa prodhimi vendas arriti në 233 mijë tonë, në total rreth 478 mijë tonë.