zoom

Të gjitha

Charlie Chaplin modern/ Kush është Khaby Lame dhe si arriti të bëhej personi më i ndjekur në TikTok pa thënë asnjë fjalë?

Khaby Lame lindi në 9 mars 2000, në Senegal. Kur ishte një vjeç, familja e tij u transferua në Itali, në qytetin Chivasso, ku iu dha strehim social. Në shkollë, Khaby ishte i etur për futboll dhe basketboll. Pas diplomimit, ai filloi të punonte si operator i makinerive CNC për një kompani që prodhonte pajisje dixhitale. Në përgjithësi, ai po jetonte një jetë mjaft të zakonshme deri në momentin që u pushua nga puna në mars të vitit 2020.

Në vend që të kërkonte një punë tjetër, siç i sugjeroi dhe babai, ai u kthye në banesën e prindërve të tij dhe vendosi të bënte video për TikTok. Fillimisht, videot e tij s’kishin ndonjë gjë të veçantë dhe filluan të xhiroheshin në një dhomë të zakonshme gjumi, që ai e ndan me vëllain e tij më të madh. Dhoma është e zbukuruar me flamurin kombëtar të Senegalit dhe shallin e klubit të tij të futbollit të preferuar, Juventus F.C.

Profili i tij TikTok vazhdonte të rritej dhe ai tashmë kishte rreth 2 milionë ndjekës. Por gjithçka ndryshoi në prill të vitit 2021, kur Khaby nisi të filmonte reagimet e tij ndaj videove që supozohej se ishin “truke për të lehtësuar jetën”. Në fund të atij muaji, ai kishte plot 84.4 milionë ndjekës.

21-vjeçari fitoi famë (dhe shumë para) nga shtëpia e tij, pa thënë asnjë fjalë dhe duke përdorur veç një smartphone dhe mjete të improvizuara. Mungesa e fjalës dhe përqendrimi në shprehitë e fytyrës u bënë pika kyçe të suksesit të tij.

 

View this post on Instagram

A post shared by Khaby Lame (@khaby00)

Përveç pagesës që TikTok ofron për content creators, Khaby është shumë i kërkuar edhe nga kompani të ndryshme për kontrata marketingu. Edhe pse njihet si “TikToker italian”, Lame në fakt nuk ka nënshtetësi italiane, por ai thotë se “kjo nuk i ka sjellë ndonjëherë probleme”. Kjo, derisa i duhej të shkonte në SHBA dhe zbuloi se pasaporta e Senegalit e ndërlikon procesin e marrjes së një vize vizitori. Pasi gjithçka të përfundojë me dokumentet, ai planifikon të shkojë në SHBA, ku po e presin “mundësi të mëdha”.

Sipas LadBible, Khaby Lame ka një pasuri prej $1-$2 milionë.