zoom

Ide & Blog

Çfarë ua ka zënë sytë ambasadave që shohin vetëm karriket e djegura

Nga Armand Shkullaku

Sot ishte një ditë kur ambasada e SHBA dhe ajo BE do të kishin bërë mirë të heshtnin se sa të reagonin për hir të reagimit. Shqetësimi i tyre për ca karrike të djegura në Kuvend, në raport me hedhjen në erë të të gjithë investimit për të ashtuquajturën drejtësi e re, i bën të duken këto përfaqësi si personazhi proverbial që krihet ndërsa Stambolli digjet.

Ato vazhdojnë të flasin për dialog konstruktiv në një demokraci, që nuk dihet pse e cilësojnë funksionale, për diskutime paqësore e të tjera klishe boshe, ndërkohë që Shqipëria sot është një regjim nën diktatin e një njeriu të vetëm dhe shteti i vetëm në Europë me të burgosur qartësisht politikë.

Nëse selitë e SHBA dhe BE nuk bëzajnë kur SPAK përndjek gazetarët, kur kryeministri përdor si vegla qorre polici, prokurori, gjykatat speciale e atë Kushtetuese për t’i rrëmbyer opozitës mandatin legjitim në Himarë, kur drejtësia e “pavarur” dënon me burg pas 6 vitesh një deputet opozitar, i cili i ktheu Italisë një të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, që është dhe vëllai i kryekomisionerit të reformës në drejtësi, atëherë çfarë kanë kaq tronditëse 12 karrike që digjen sa të shqetësojnë dy superfuqitë perëndimore?

Shqetësimi në këtë rast ka të bëjë me faktin se diplomatët e akredituar në Tiranë, duan t’i shohin ato karrike si shkakun e një dhune potenciale në vijim dhe jo si pasojë e dhunimit sistematik që i bëhet opozitës mu përpara syve të tyre. Meqë taksapaguesit perëndimorë kanë paguar për reformën shqiptare të drejtësisë, meqë kjo reformë u është shitur atyre si e suksesshme dhe meqë drejtësi e re dhe narkoshtet i korruptuar nuk qëndrojnë bashkë, përfaqësitë diplomatike në Tiranë nuk janë ndjerë as kur zgjatja e duarve të pushtetit mbi SPAK, gjykatat speciale dhe deri atë Kushtetuese ka ndodhur hapur ditën për diell.

Ambasadat nuk kanë folur kur Edi Rama e trajtoi Gjykatën Kushtetuese si peshqir për shezlongët e Olta Xhaçkës. As kur SPAK e çliroi nga akuzat ish ministrin e Shëndetësisë që vazhdonte pa e prishur terezinë me zanatin rilindas të përvetësimit edhe kur bëhej fjalë për fondet e BE. Njësoj edhe kur vetë BE zbuloi batërdinë e abuzimeve me grantet për bujqësinë, askush nga perëndimorët e Tiranës nuk u shqetësua. Dhe nuk flasin as kur kryeministri i bën thirrje hapur drejtësisë të ndjekë e dënojë kundërshtarët e tij politikë. Nëse kjo quhet drejtësi e re dhe demokraci funksionale, atëherë 12 karriket qënkan një problem serioz për të ardhmen euro- atlantike të vendit. Si mund të mos reagojnë kokat e përfaqësive më të fuqishme perëndimore?

Problemi i vetëm është se kur opozita politike burgoset njësoj si në Turqi dhe sytë t’i zë vetëm tymi i protestave që vijnë si rrjedhojë, shqetësimet e reagimet nuk janë mesazh për shqiptarët por justifikim për tolerimin e një regjimi që ka degraduar deri në përndjekjen e hapur të kundërshtarëve. Arsyet që arbitri i dikurshëm ndërkombëtar ka hequr dorë nga paanësia, sidomos dekadën e fundit, janë të shumta, por në disa raste të rënda të abuzimeve të pushtetit do të ishte mirë të mos ua kujtonte qytetarëve shqiptarë dështimin e tij. Çfarë efekti mund të kenë tek këta të fundit reagime të tipit që jemi të shqetësuar për dëmtimin e derës së Bashkisë, ndërkohë që brenda dyerve ka ndodhur vjedhja e shekullit nga vetë drejtuesit e Bashkisë.

Nënkryetari i grupit parlamentar të opozitës burgoset për fjalën e lirë, në një proces të montuar krejtësisht nga pushteti, me dëshmitarë të prodhuar nga policia, vetëm se dërgoi në burg vëllain e ish ministrit të Brendshëm. Shqetësimi i sponsorëve të reformës në drejtësi duhet të ishte në shkallën më të lartë, jo vetëm nga burgosja e një kundërshtari politik, por edhe nga mesazhi që një akt i tillë u përçon banditëve në njërën anë dhe punonjësve të drejtësisë në anën tjetër. Mesazhi se kush është nën sqetullën e pushtetit është i paprekshëm dhe se dënimet politike nuk janë një tabu. Inkurajim për krimin dhe kontroll politik mbi drejtësinë. Mirëpo ambasadat e SHBA dhe BE e panë të arsyeshme të shqetësohen për 12 karriket.

Çështja nuk është se si do të fiket flaka mbi karrike, por pse dhe kush e ndezi atë. Ambasadat sigurisht e dinë, pavarësisht se i shqetëson vetëm pasoja dhe jo shkaku. Për ta kuptuar këtë nuk ka nevojë për ndonjë studim akademik. Mjafton të lexojnë shtypin serioz të vendeve të tyre, i cili pasi bën skanerin e një shteti të kriminalizuar, shpjegon edhe mbylljen e syve nga perëndimi. Para dhe copa Shqipërie për korruptim e lobim në favor të një regjimi që sot ka edhe të burgosurit e tij politikë. Por ama ato 12 karriket janë aq të rënda sa dy fuqitë perëndimore nuk e mbajtën dot peshën dhe më në fund reaguan.